Pritja e Pashkëve është gjithmonë jo vetëm një pritje urimesh, por edhe një ditë vlerësimesh të shumta për veprën e Kishës. Këtë vit ajo ishte edhe më e veçantë. Për herë të parë u bë në selinë e re të Sinodit të Shenjtë, pjesë e kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
    Bashkë me Fortlumturinë e Tij Anastas mernin pjesë në pritje edhe anëtarë të Sinodit: Episkop Nikolla, Episkop Andoni, Episkop Nathanaili, Episkop Asti dhe klerikë të tjerë.
    Erdhën për të uruar Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjithashtu edhe Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ndërsa presidenti Bujar Nishani dërgoi një urim me anë të këshilltarëve të tij.
    Uruan edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Ministrat Halim Kosova e Visar Zhiti, kryetarë partish, rektorët Dhori Kule e Jorgaq Kaçani etj. Për të uruar erdhi edhe ambasadori i SHBA Arvizu dhe mjaft diplomatë të tjerë.
    Urime të ngrohta, siç është në traditën e bashkëjetesës fetare në vendin tonë përcollën edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ndërsa Nunci Apostolik në vendin tonë Arqipeshkvi Ramiro Ingles i dorëzoi Kryepiskopit Anastas një letër të Papës Francesku I.
    Në këtë atmosferë festive Kryeministri z. Berisha mes të tjerash tha: “Ringjallja e Krishtit është dita e shenjtë e besimtarëve të krishterë ortodoksë, e besimtarëve të krishterë në tërësi, por edhe e të gjithë besimtarëve të Zotit, që admirojnë, nderojnë përjetësinë, shpresën, besimin, të ardhmen. Është një rast i veçantë për mua, t’i shpreh edhe një herë Hirësisë së tij, Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale Shqiptare Janullatos, mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për punën e madhe që ka bërë në ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe jo vetëm kaq, por e përkushtimin e tij të madh, për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët në këtë periudhë në të gjitha aspektet. Edhe një herë gëzuar!”