NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 5:16-25.

 

Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi. Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.

Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres, dhe thonë: “Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim”.

Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!
Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!
Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse, që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!

Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit. Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë.

 

NGA LIBRI I GJENEZËS 4:16-26.

 

Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit.
Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit. Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku. Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah. Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë nën çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë. Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit. Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama.

Pastaj Lameku u tha grave të tij: “Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim. Në rast se do t’i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t’i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë”.

Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: “Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini”. Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit.

 

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 5:15-6:3.

 

Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty. Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij. I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj, je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.
Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.