NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 5:7-16.
Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi. Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.
Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: “Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë”. Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.
Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera! Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij. Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.
Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të. Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen. Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.
NGA LIBRI I GJENEZËS 4:8-15.
Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau.
Atëherë Zoti i tha Kainit: “Ku është vëllait yt Abeli?”. Ai u përgjegj: “Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?”. Zoti i tha: “Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë”.
Atëherë Kaini i tha Zotit; “Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë”.
Dhe Zoti i tha: “Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë”. Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste.
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 5:1-15.
Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim, me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë. Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa. Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol. Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.
Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime. Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar, dhe të thuash:
“Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime? Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin. U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit”. Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.