– Apostull Aristovuli nga të 70-t, i Britanisë –

 

Ishte vëllai i apostullit tjetër Varnava dhe bënte pjesë në grupin e të Shtatëdhjetëve. Ndoqi me besnikëri apostull Pavlin në udhëtimet e tij hierapostolike, duke e ndihmuar me dashuri dhe duke mësuar pranë tij të shpallte Ungjillin e Shpëtimit te paganët.

Apostull Pavli e dërgoi në ishujt britanikë, të cilët asokohe banoheshin nga popullsi të egra idhujtarësh. Me shumë mundime apostulli e kreu misionin e tij; herë e torturonin, herë-herë e tërhiqnin zvarrë në sheshe publike, e tallnin dhe e përqeshnin. Por u përpoq me guxim dhe ngriti kisha, ku caktoi priftërinj dhe dhjakonë, të cilët i hirotonisi vetë. Pasi mbolli farat e jetës së krishterë, të cilat dhanë fryte shekuj më vonë, shën Aristovuli fjeti në paqe.

* * * * *

– Dëshmorët Romili, Timolau etj. –

 

Gjatë vitit të dytë të persekutimit të madh që kishte nisur perandori Dioklecian kundër të krishterëve (305), qeveritari i Palestinës, Urbani, i zbatonte me zell të padëgjuar ediktet e perandorit, duke i detyruar të gjithë banorët t’u flijonin idhujve. Ai urdhëroi që të organizohej një shfaqje pulike në Qesari, gjatë së cilës të krishterët e pabindur do t’i hidhnin te kafshët e egra.

Të pushtuar nga dashuria për Krishtin, gjashtë djem të rinj, me duar të lidhura, hynë në amfiteatër duke thirrur para turmës së mbledhur se ishin të krishterë. Njëri nga ata quhej Timolao dhe ishte nga Ponti, një tjetër quhej Dionis dhe ishte nga Tripoli i Fenikisë, i treti ishte nëndhjakon në Kishën e Diospolit dhe quhej Romul, dy të tjerët ishin egjiptianë dhe quheshin njëri Aleksandër dhe tjetri Pais dhe i fundit, që edhe ai e kishte emrin Aleksandër, ishte nga Gaza. I tronditur nga dalja e tyre e papritur, qeveritari dha urdhër të burgoseshin.

Pas disa ditësh, një tjetër të krishterë, Agapin, i cili kishte duruar tortura të tmerrshme, e burgosën bashkë me ta dhe gjithashtu arrestuan dhe burgosën edhe një tjetër, me emrin Dionis, që ishte përpjekur t’i ndihmonte. Ata mbetën të palëkundur në pohimin e besimit, ndaj u prenë kokën me urdhër të qeveritarit dhe kështu martirët e shenjtë morën kurorën e fitores.