UNGJILLI – Llukai 21:8-36.
Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; edhe se koha u afrua. Mos shkoni, pra, prapa atyre. Edhe kur të dëgjoni luftra e trazira, mos u frikësoni; sepse këto duhet të bëhen më parë; po nuk do të jetë menjëherë fundi.
Atëherë u thoshte atyre: Do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie, edhe do të bëhen tërmete të mëdha në vende të ndryshme, edhe zi buke e murtaja, edhe do të ketë gjëra të frikshme e shenja të mëdha prej qiellit.
Po para gjithë këtyre do të vënë duart e tyre mbi ju, edhe do t’ju përndjekin e do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje, duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Edhe kjo do t’ju kthehet juve për dëshmi. Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më parë si do të mbroheni, sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj. Dhe do të dorëzoheni edhe nga prindër e vëllezër e farefis e miq; dhe do të vrasin disa prej jush. Edhe do të jeni të urryer nga të gjithë për emrin tim. Po asnjë fije floku prej kokës suaj s’do të humbë. Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.
Edhe kur të shihni Jerusalemin të rrethohet prej ushtrive, atëherë dijeni se u afrua shkretimi i tij. Atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin nëpër male; edhe ata që do të jenë brenda në të, le të dalin jashtë, edhe ata që të jenë nëpër krahina, le të mos hyjnë brenda në të. Sepse ditë shpagimi janë ato, që të përmbushen gjithë të shkruarat. Edhe mjerë ato gra që janë me barrë e me foshnjë në gji në ato ditë, sepse do të jetë shtrëngesë e madhe mbi dhé, edhe zemërim mbi këtë popull. Edhe do të bien prej goje thike, edhe do të robërohen nëpër gjithë kombet; edhe Jerusalemi do të shkelet prej kombesh, deri sa të plotësohen kohët e kombeve.
Edhe do të ketë shenja në diell e në hënë e në yjet; edhe mbi dhe shtrëngim kombesh që nuk dinë se ç’do të bëhet, edhe do të gjëmojë deti dhe shkulmi i valës, njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga pritja e atyre që po vijnë mbi botë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden. Dhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi e me lavdi të madhe. Edhe kur të nisin të bëhen këto, shikoni lart dhe ngrini kryet tuaj; sepse po afrohet çlirimi juaj.
Edhe u tha atyre një paravoli: Shihni fikun dhe gjithë pemët; tashmë kur të çelen, duke parë vetvetiu merrni vesh se tani vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni të bëhen këto, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
Edhe vini re veten tuaj, se mos ndonjëherë ju rëndohen zemrat tuaja prej dehjes e prej të pirit dhe prej kujdeseve të jetës, e të vijë përmbi ju papandehur ajo ditë. Sepse si lak do të vijë përmbi të tërë ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut. Rrini zgjuar pra, duke u lutur në çdo kohë, që të bëheni të denjë t’u shpëtoni gjithë këtyre që do të bëhen, edhe të rrini përpara Birit të njeriut.