UNGJILLI – Llukai 19:29-40, 22:7-39.
Edhe si u afrua në Betfagji e në Betani, pranë malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga nxënësit e tij, duke thënë: Shkoni në fshatin e përtejmë, në të cilin kur të hyni, do të gjeni një pulisht lidhur, mbi të cilin s’ka hipur asnjeri deri tani; zgjidheni dhe silleni. Edhe nëse ju pyet ju ndonjë: Përse e zgjidhni? Kështu t’i thoni, se Zoti ka nevojë për të.
Edhe si shkuan të dërguarit, gjetën pulishtin që qëndronte siç u tha atyre. Edhe kur ata po zgjidhnin pulishtin, të zotët e tij u thanë atyre: Përse e zgjidhni pulishtin? Edhe ata u thanë se Zoti ka nevojë për të. Edhe e prunë te Jisui. Edhe si hodhën rrobat e tyre mbi pulishtin, hipën Jisuin mbi të. Edhe tek po shkonte, turmat shtronin rrobat e tyre udhës.
Edhe kur u afrua ai tashmë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë, duke thënë: I bekuar mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, edhe lavdi në më të lartat.
Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.
Edhe erdhi dita e të pabrumëtave, në të cilën duhej të therej pashka. Edhe Jisui dërgoi Pjetrin dhe Joanin, duke thënë: Shkoni dhe na bëni gati pashkën, që të hamë. Edhe ata i thanë: Ku do ta bëjmë gati? Edhe ai u tha atyre: Kur të hyni ju në qytet, ja tek do t’ju takojë një njeri që mban një shtambë uji. Shkoni pas tij në shtëpinë ku të hyjë, edhe do t’i thoni të zotit të shtëpisë: Mësuesi të thotë ty, ku është vendi, ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi? Edhe ai do t’ju tregojë juve një dhomë të sipërme të madhe, të shtruar; atje bëjeni gati. Edhe ata si shkuan, gjetën siç u tha; edhe bënë gati pashkën.
Edhe kur erdhi ora ndenji në tryezë, dhe të dymbëdhjetë apostujt bashkë me të. Edhe u tha atyre: Me dëshirë desha të ha këtë pashkë me ju, para se të pësoj. Sepse po ju them juve, se s’kam për të ngrënë më prej saj, deri sa të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë. Edhe si mori potirin, falënderoi, e tha: Merreni këtë dhe ndajeni në mes tuaj. Sepse po ju them juve se s’kam për të pirë prej prodhimit të hardhisë deri sa të vijë mbretëria e Perëndisë.
Edhe si mori bukë, falënderoi, edhe e theu e ua dha atyre, duke thënë: Ky është trupi im, që jepet për ju; këtë bëjeni për kujtimin tim. Kështu, pasi hëngrën darkë mori edhe potirin, duke thënë: Ky potir është dhiata e re në gjakun tim, që derdhet për ju. Por ja dora e atij që më tradhton është bashkë me mua mbi tryezë. Edhe i Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, po mjerë ai njeri, me anë të të cilit tradhtohet. Edhe ata zunë të bisedonin në mes tyre se, vallë, cili prej atyre do të jetë ai që do ta bëjë këtë.
U bë edhe një grindje në mes tyre, Vallë, cili prej tyre duket se është më i madh. Edhe ai u tha atyre: Mbretërit e kombeve zotërojnë mbi ata, dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen mirëbërës. Por ju jo kështu; po më i madhi ndër ju le të bëhet si më i vogli, dhe ai që është i parë, si ai që shërben. Sepse, cili është më i madh, ai që ka ndenjur në tryezë, apo ai që shërben? A nuk është ai që ka ndenjur në tryezë? Po unë jam në mes tuaj si ai që shërben. Edhe ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në ngasjet e mia. Dhe unë ju jap juve një mbretëri, sikurse Ati im mua, që të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time, dhe të rrini mbi frone, duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Edhe Zoti tha: Simon, Simon, ja Satanai tek ju kërkoi ju, që t’ju shoshitë si grurë. Por unë u luta për ty, që të mos shteret besimi yt; edhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu. Po ai i tha: Zot, jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje. Po ai tha: Pjetër, po të them ty, nuk do të këndojë gjeli sot para se të më mohosh tri herë duke thënë se nuk më njeh.
Dhe u tha atyre: Kur ju dërgova për të predikuar pa kuletë e pa trastë e pa sandale, mos ju mungoi gjë juve? Edhe ata thanë: Asgjë. U tha pra atyre: Por tani, ai që ka kuletë, le ta marrë me vete; po ashtu edhe ai që ka trastë; dhe ai që nuk ka, le të shesë rrobën e tij dhe le të blejë thikë. Sepse po ju them juve, se edhe kjo e shkruar duhet të përmbushet në mua, se “Edhe me të paudhët u numërua”, sepse të shkruarat për mua po përfundojnë. Edhe ata thanë: Zot, ja këtu dy thika. Edhe ai u tha atyre: Është mjaft.
Dhe si doli shkoi, siç e kishte zakon, në Malin e Ullinjve; edhe i shkuan pas edhe nxënësit e tij.