APOSTULLI – 3 Joani 1-15.

Unë, plaku, Gait të dashur, të cilin unë e dua me të vërtetë.
I dashur, për të gjitha lutem të shkosh mbarë e të jesh shëndoshë, sikundër shkon mbarë shpirti yt. Sepse u gëzova shumë, se vijnë vëllezër dhe dëshmojnë për të vërtetën tënde, siç ecën ti në të vërtetën. Nuk kam gëzim më të madh se këtë, të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.

I dashur, ti punon me besëtari në ato që bën për vëllezërit edhe për të huajt të cilët dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; të cilët do të bësh mirë t’i përcjellësh siç është e denjë për Perëndinë. Sepse për emrin e tij dolën, pa marrë asgjë nga kombet. Ne pra kemi detyrë t’i presim të tillët, që të bëhemi bashkëpunëtorë për të vërtetën.

I shkrova kishës; po Diotrefi që dëshiron të jetë i parë ndër ata nuk na pranon. Prandaj në ardhsha, do t’i kujtoj atij punët që bën, duke llomotitur me fjalë të liga kundër nesh; edhe sikur të mos i ishin mjaft këto, as vetë nuk i pret vëllezërit, por edhe ata që duan i ndalon, edhe nga kisha i nxjerr jashtë. I dashur, mos ki për shembull të ligën, po të mirën. Ai që bën mirë, është nga Perëndia; por ai që bën keq, nuk e ka parë Perëndinë.

Për Dhimitrin jepet dëshmi e mirë nga të gjithë, edhe nga e vërteta vetë. Edhe ne dëshmojmë, edhe e dini se dëshmia jonë është e vërtetë.
Shumë kisha për të shkruar, po nuk dua të të shkruaj me bojë e me pendë. Po shpresoj që për së shpejti të të shoh, edhe do të flasim gojë më gojë. Paqja qoftë në ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë emër për emër.