UNGJILLI – Mateu 25:31-46.

Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij. Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; edhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga dhitë. Edhe do të vërë dhentë në të djathtë e dhitë në të majtë.

Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kurse është themeluar bota. Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish? Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm brenda? Apo të zhveshur, e të veshëm? Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, edhe erdhëm tek ti? Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.

Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij. Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi; isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, edhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, edhe nuk erdhët të më shihni. Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem? Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
Edhe këta do të shkojnë në dënim të përjetshëm; edhe të drejtët në jetë të përjetshme.