UNGJILLI – Marku 15:20, 22, 25, 33-41.

Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e purpurt, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.

Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.
Edhe ishte ora e tretë, edhe e kryqëzuan.

Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dhenë, deri në orën e nëntë.

Edhe në të nëntën orë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?”.

Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian. Edhe njëri vrapoi e mbushi një sfungjer me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.

Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se dha shpirt duke thirrur kështu, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.

Ishin edhe gra duke parë prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, edhe Saloma, të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, edhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.