UNGJILLI – Marku 14:43-15:1.
Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, vjen Juda, që ishte një nga të dymbëdhjetët, edhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me drunj, dërguar nga ana e kryepriftërinjve dhe e shkruesve dhe e pleqve.
Edhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre shenjë, duke thënë: Atë që të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni duke e siguruar. Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ai e i thotë: Përshëndetje, Rabbi. Edhe e puthi. Edhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e kapën. Edhe një nga ata që rrinin atje nxori thikën e i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin.
Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me drunj të më kapni? Përditë kam qenë ndër ju në tempull duke mësuar, edhe nuk më zutë; po kjo u bë që të përmbushen shkrimet. Edhe të gjithë e lanë e ikën. Edhe njëfarë djaloshi i vinte prapa duke qenë i mbështjellë mbi lakuriqësinë e tij me një pëlhurë; edhe djemtë e kapin. Po ai e la pëlhurën dhe iku nga ata lakuriq.
Edhe prunë Jisuin te kryeprifti. Dhe mblidhen tek ai gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e shkruesit. Edhe Pjetri i shkoi pas prej së largu deri brenda në oborrin e kryepriftit; edhe ishte duke ndenjur bashkë me shërbëtorët, edhe po ngrohej në zjarr. Edhe kryepriftërinjtë e gjithë këshilli kërkonin dëshmi kundër Jisuit që ta vritnin, po nuk gjenin. Sepse shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër atij; po dëshmitë nuk ishin të njëllojta.
Edhe disa u ngritën e jepnin dëshmi të rreme kundër tij, duke thënë se ne e dëgjuam atë të thotë se unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, edhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë. Po as kështu dëshmia e tyre s’ishte e njëllojtë. Edhe kryeprifti u ngrit në mes dhe pyeti Jisuin, duke thënë: Nuk përgjigjesh fare? Ç’dëshmojnë këta kundër teje? Po ai s’bënte zë, dhe nuk përgjigjej fare.
Përsëri kryprifti e pyeti atë duke i thënë atij: Ti je Krishti, i Biri i të Bekuarit? Edhe Jisui tha: Unë jam; edhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë, edhe duke ardhur mbi retë e qiellit. Edhe kryeprifti çorri rrobat e tij e thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? E dëgjuat qartë blasfeminë; ç’ju duket juve?
Edhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje. Edhe disa zunë ta pështyjnë dhe t’i mbulojnë fytyrën dhe ta godisnin në zverk, edhe t’i thonë: Profetizona kush është ai që të ra. Edhe shërbëtorët i binin me shuplaka.
Edhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit, edhe kur pa Pjetrin duke u ngrohur, hodhi sytë mbi të e tha: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Nazaretasin. Por ai e mohoi, duke thënë: Nuk di, as nuk marr vesh ç’thua ti. Edhe doli jashtë në avlli; dhe gjeli këndoi.
Edhe shërbëtorja, kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre që ishin duke ndenjur atje se ky është nga ata. Po ai përsëri e mohonte.
Edhe pas pak ata që ishin duke ndenjur atje përsëri i thanë Pjetrit: Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, edhe të folurit tënd ngjan. Po ai zuri të mallkojë edhe të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri që thoni.
Edhe gjeli këndoi për së dyti. Edhe Pjetrit i ra ndër mend fjala që i pati thënë Jisui se para se të këndojë gjeli dy herë, do të më mohosh tri herë. Edhe zuri të qajë. Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë mbajtën kuvend bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë këshillin, edhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.