APOSTULLI – 1 Joani 3:9-22.
Ai që ka lindur prej Perëndisë, mëkat nuk bën, sepse fara e tij mbetet në atë; edhe s’mund të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë. Nga kjo dallohen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit. Kushdo që nuk bën drejtësi, nuk është nga Perëndia, si edhe ai që nuk do të vëllanë.
Sepse kjo është porosia që dëgjuat që në fillim: të duam njëri-tjetrin. Jo si Kaini i cili ishte prej të ligut, edhe theri të vëllanë. Edhe përse e theri? Sepse punët e tij ishin të liga, edhe ato të vëllait të tij të drejta.
Mos u çuditni, o vëllezër të mi, nëse bota ju urren juve. Ne e dimë se kemi shkuar prej vdekjes në jetë, sepse duam vëllezërit. Ai që nuk do vëllanë, mbetet në vdekje. Kushdo që urren të vëllanë, është njerivrasës; edhe e dini se çdo njerivrasës s’ka jetë të përjetshme që mbetet në atë.
Nga kjo e njohëm dashurinë, se ai vuri jetën e tij për ne; edhe ne kemi detyrë të vëmë jetët tona për vëllezërit. Po ai që ka të mirat e botës, edhe sheh vëllanë që ka nevojë, edhe i mbyll atij zemrën e tij, si mund të mbetet dashuria e Perëndisë tek ai? Djemthit e mi, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra e me të vërtetë.
Edhe nga kjo e dimë se jemi prej së vërtetës, edhe do të sigurojmë zemrat tona përpara atij, se nëse na dënon zemra, Perëndia është më i madh se zemra jonë, edhe i njeh të gjitha. Të dashur, nëse nuk na dënon zemra jonë, kemi guxim tek Perëndia. Edhe çfarëdo që të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse ruajmë urdhërimet e tij, edhe bëjmë ato që i pëlqejnë atij.