– Apostujt Evuli, Nimfai –

Këta dy shenjtorë ishin nxënës të apostull Pavlit. Nimfai ishte një fisnik i qytetit të Laodicesë, i cili mikpriste Kishën që po lindte në këtë qytet brenda shtëpisë së tij, për të celebruar Liturgjinë Hyjnore (shih Kol. 5:15).

Evuli, këshilltari i mirë, që përmendet nga shën Pavli gjatë burgimit të tij të dytë, duket se është një nga të krishterët e shquar në shoqëri, të cilët qëndruan pranë apostullit gjatë ekzekutimit të tij (2 Tim. 4:12).

* * * * *

– Omologjet Vasili –

Omologjet Vasili, i veshur murg qysh në moshë të re, nën drejtimin e shën Prokop Dekapolitit, bëri një jetë plot me privime të shumta. I ushtruar në këtë mënyrë për të luftuar në asketizëm kundër sulmeve të të ligut, arriti të kishte efikasitet në betejën kundër ikonoklastëve heretikë. E arrestuan të dërguarit e perandorit, por qëndroi i palëkundur në besimin e drejtë. Pasi e torturuan duke i shkaktuar plagë të rënda, veçanërisht në fytyrë, e futën në një burg të errët ku qëndroi deri në vdekjen e tiranit Leon Isauri (741).

Në këtë kohë, pasi u lirua, së bashku me shën Prokopin dhe konfesorë të tjerë të besimit, rifilloi jetën e tij asketike, duke tërhequr në pendim një numër të madh mëkatarësh dhe duke rikthyer shumë heretikë në besimin e vërtetë dhe në kungimin e Kishës, si me fjalë ashtu edhe me anë të shembullit të virtyteve të tij. Pasi bëri një jetë kaq të lavdishme, u nis i gëzuar për në Mbretërinë e Qiejve.

* * * * *

– Oshënaret Mariana e Kira –

Në korin e asketëve të lavdishëm të Sirisë, që përmend Theodhoreti i Kirit në rrëfimet që na ka lënë për murgjit, rreshtoheshin edhe gra të shenjta, të cilat nuk i pengoi në asgjë delikatesa e natyrës së tyre për të rivalizuar engjëjt.

Marana dhe Kira vinin nga familje fisnike të qytetit të Beresë, në Siri. Duke përbuzur të gjitha pasuritë e tyre, ato rrethuan një vend të vogël jashtë qytetit, ku jetonin në qiell të hapur, veshur me rroba të gjata dhe të lidhura me zinxhirë të rëndë. Ato merrnin ushqim nga një portë e vogël, nëpërmjet dritares të së cilës komunikonin me gratë që i vizitonin vetëm në kohën e Pentikostisë.

Shërbëtoret e tyre të vjetra, që vendosën t’i pasonin, jetonin në një shtëpi atje pranë, jashtë rrethimit, dhe shenjtoret i nxisnin të bënin një jetë me lutje dhe mundime asketike. Jetuan më tepër se 40 vjet me këto përpjekje dhe ruajtën po të njëjtin zell të fillimit për kryerjen e betejave shpirtërore. Dhe, duke kundruar qysh në këtë jetë të Shumëdashurin e tyre, që iu zgjaste kurorën e fitores prej qiejve, ato duronin me gëzim vështirësitë e motit, duke u shtuar edhe shumë mundime të krijuara enkas me vullnetin e tyre.

Tri herë qëndruan pa ngrënë 40 ditë, sipas shembullit të Moisiut dhe të Ilias dhe tri herë të tjera imituan profetin Daniel, duke agjëruar tri javë me radhë. Ato shkuan për një pelegrinazh në Jerusalem dhe e bënë udhëtimin e tyre më këmbë, duke kreshmuar (20 ditë ecje më këmbë). Hëngrën pak vetëm kur u falën dhe bënë nderimet e duhura, por kur u kthyen, nuk futën gjë në gojë. Në të njëjtën mënyrë bënë edhe një pelegrinazh tjetër pranë varrit të shën Theklës në Isauri (pranë Seleucisë). Në fund të përpjekjeve të tyre të bëra me trimëri, ato gjetën prehjen pranë Krishtit, Perëndisë, në një datë dhe në rrethana që nuk dihen deri më tani.