– Gjetja e lipsanëve të dëshmorëve në Evgjeni –

Në kohën e patriarkut të shenjtë Thoma I (607-610), u gjetën lipsanet e disa martirëve të shenjtë e të panjohur, që ishin varrosur në krahinën e Evgjenit të Konstandinopojës. Kur patriarku Thoma i vendosi në një vend, që besimtarët të vinin t’u faleshin, ndodhën shërime të shumta.

Kishin kaluar shumë vjet kur një klerik i quajtur Nikolla, që merrej me kopjimin e librave, mësoi nga një zbulesë hyjnore se lipsanet e panjohura u takonin nxënësve të apostull Pavlit, Andronik dhe Junia, të cilët përmenden në letrën drejtuar Romakëve (16:7). Perandor Androniku I (1183-1185) ndërtoi një kishë të bukur në vendin ku nderoheshin këto lipsane.

 

* * * * *

– Oshënarët Thalasi, Limneu –

Këta etër hyjmbajtës jetuan në Siri në kohën kur ishte episkop Theodhoreti i Kirit, i cili përfitoi nga shoqëria e tyre dhe dokumentoi mënyrën e tyre të jetesës. Shën Thalasi themeloi një manastir mbi një kodër dhe shkëlqeu në asketizëm si një murg i butë dhe me gjykim të hollë. Limneu ishte futur qysh në moshë të re në këtë shkollë të shenjtë përpjekjesh shpirtërore, për të mësuar nga Thalasi parimet e jetës murgërore. Duke ditur që sa lehtë e folura udhëzon në mëkat, ai, sado që ishte në moshë të re, i vuri detyrë vetes të mbante heshtje absolute. Meqë vulosi në vetvete virtytet e jerondit të tij, shkoi të jetonte pranë shën Maronit (14 shkurt).

Pas disa vjetësh, shën Limneu u pushtua nga dëshira për ta ofruar veten në martirizimin e përditshëm, duke jetuar në qiell të hapur si bashkënxënësi i tij, Jakovi (26 nëntor). Ai u vendos mbi një kodër që shikonte mbi fshatin e Targallas dhe qëndroi atje për më shumë se 38 vjet, i ekspozuar ndaj erërave, në një vend të izoluar ku nuk pranonte njeri tjetër, përveç episkop Theodhoretit. Shën Limneu u fliste vizitorëve të tjerë nëpërmjet një dritareje të vogël, duke u dhënë bekimin e tij, që kishte fuqinë të shëronte sëmundje dhe të dëbonte demonë.

Kur sëmurej, tregonte durim të madh porsi Jovi dhe e zbuste dhimbjen duke thirrur emrin e Jisuit. Po kështu, kur u pickua nga një nepërkë, ai e zbuti dhimbjen vetëm me anë të lutjes. Dhimbja që ndiente për lypësit e verbër të krahinës, e nxiti të tregonte një përdëllim të madh për ta. Kështu, ndërtoi strehë për ta rreth vendit ku jetonte i mbyllur dhe i nxiste vizitorët të jepnin për plotësimin e nevojave të tyre. I vendosur në mes tyre si një kolonë lutjeje, ai i nxiste ta kthenin fatkeqësinë e tyre në një bekim, duke mos reshtur së psaluri lavdërime për Perëndinë.