UNGJILLI – Marku 12:38-44.

Edhe u thoshte atyre në mësimin e tij: Ruhuni nga shkruesit, të cilët duan të ecin me stolira, edhe duan përshëndetje nëpër tregjet, edhe frone të para nëpër sinagogat, edhe vende të para nëpër darkat; të cilët gllabërojnë shtëpitë e të vejave, me shkakun e rremë se luten gjatë; këta do të marrin më tepër dënim.

Edhe Jisui ndenji përballë arkës dhe vinte re se si njerëzit hidhnin të holla në arkën e thesarit; edhe shumë të pasur hidhnin shumë.

Edhe erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy të imëta, domethënë një kodrant. Edhe Jisui thirri pranë nxënësit e tij e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër hodhi më tepër se të gjithë ata që hodhën në arkë. Sepse të gjithë hodhën prej tepricës së tyre; ndërsa kjo nga e mangëta e saj hodhi gjithë sa kishte, gjithë gjënë e saj.