UNGJILLI – Marku 8:1-10.

Në ato ditë, përsëri, pasi ishte shumë popull, edhe meqë s’kishin se ç’të hanin, Jisui thirri pranë nxënësit e tij dhe u thotë atyre: Më dhimbset për turmën, se tashmë tri ditë rrinë pranë meje, edhe s’kanë se ç’të hanë. Edhe në i lëshofsha të pangrënë për në shtëpitë e tyre, do të këputen në udhë; sepse ca nga ata kanë ardhur prej së largu.

Edhe nxënësit e tij iu përgjigjën se: Si do të mundet ndonjë t’i ngopë këta me bukë këtu në shkretëtirë? Edhe ai i pyeti: Sa bukë keni? Edhe ata i thanë: Shtatë. Edhe porositi turmën të ulet përdhe; edhe si mori të shtatë bukët, falënderoi e i theu, edhe ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara njerëzve; edhe i vunë përpara popullit.

Edhe kishin pak peshq të vegjël; edhe si i bekoi, u tha t’ua vënë përpara edhe ato. Edhe hëngrën e u ngopën. Edhe ngritën teprica copash, shtatë shporta. Edhe ishin rreth katër mijë vetë; edhe i lëshoi ata.
Edhe përnjëherë hyri në lundër bashkë me nxënësit e tij dhe erdhi në anët e Dalmanutasë.