– Hierodëshmor Vlashi dhe 7 dëshmorë me të –
I lindur në provincën e Armenisë dhe mjek për nga profesioni, shën Vlashi bënte një jetë si ajo e Jovit të drejtë, “duke qenë i paqortueshëm dhe i drejtë dhe një njeri që kishte frikë nga Perëndia dhe i shmangej së keqes” (Jovi 1:1). Virtytet e tij fituan vlerësimin e të gjithë banorëve të qytetit dhe u zgjodh episkop i Sebastës (Sivas) në Anatolinë Lindore. Gjatë persekutimit të madh pohonte me guxim Krishtin dhe inkurajonte martirët të luftonin deri në fund luftën e mirë të besimit. Shenjti vizitoi shën Efstratin në burg, para martirizimit të tij të lavdëruar dhe celebroi Liturgjinë Hyjnore. Më pas mblodhi lipsanet e Pesë Martirëve për t’i nxjerrë përpara popullit, me qëllim që t’i nderonte.
Pas disa kohësh, ai u tërhoq në malin Argea, në një vend shumë afër Sebastës, ku jetoi i mbyllur në shpellë, duke iu lutur Zotit pa pasur asnjë shpërqendrim. Të tërhequra prej aromës së virtyteve, kafshët e egra i afroheshin shenjtit si një Adami të dytë dhe e prisnin me qetësi në hyrje të shpellës, që ai të përfundonte lutjet e tij dhe t’u jepte bekimin ose t’u shëronte plagët.
Gjatë mbretërimit të perandorit Licinius (rreth vitit 316), Agrikola, guvernatori i Kapadokisë, erdhi në Sebastë për të dënuar të krishterët. Ai kishte plan që të krishterët, të cilët këmbëngulnin në besimin e tyre, t’i bënte ushqim për bishat në amfiteatër dhe i dërgoi ushtarët në malin Argea të kapnin kafshë të egra. Shumë të çuditur, ushtarët hasën në një grup kafshësh të egra, luanë, tigra, arinj, ujq dhe të tjerë që po rrinin në paqe së bashku përjashta shpellës së shën Vlashit. Ata e informuan guvernatorin, që i dërgoi të arrestonin shenjtorin. Ky i fundit i përshëndeti me dashuri dhe u tha atyre se ishte njoftuar për ardhjen e tyre nga një vizion. Shumë paganë, që e takuan shenjtorin në rrugën që të çonte në Sebaste, provuan paqen dhe mirësinë e jashtëzakonshme që dilte prej tij dhe u kthyen te Krishti. Sëmundjet, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, shëroheshin ndërsa ai kalonte së andejmi. Një nënë e dëshpëruar i solli birin e saj, që ishte mbytur dhe ishte në rrezik të vdiste nga një halë peshku. Shenjtori e futi dorën në grykën e djalit dhe ia hoqi halën. Ai iu lut Zotit që t’i rijepte djalit përsëri shëndetin, si dhe atyre që e lusin shenjtin në raste të tilla. Pas kësaj ia ktheu djalin së ëmës me shëndet të plotë.
Kur arritën në Sebastë, ata e nxorën Vlashin përpara gjyqit. Shenjti qëndroi i paepur ndaj pyetjeve dhe presioneve të Agrikolës dhe dënoi me forcë nderimin e idhujve. E rrahën me shkopinj, por ai duroi me gëzim dhe ata u detyruan ta burgosnin. Gjatë torturave të tjera, ai i tha guvernatorit: “Nuk kam frikë nga torturat e tua, sepse shikoj përpara gjërat që do të vijnë!”. Pas kësaj, shenjtin, e mbuluar në gjak, e futën përsëri në qelinë e tij. E shoqëruan 7 gra të devotshme, që e lyen fytyrën me gjakun që i rridhte nga plagët. Atëherë ato i arrestuan dhe i çuan te guvernatori, që i kërcënoi me tortura nëse nuk do t’u ofronin sakrificë idhujve. U shtirën në fillim sikur do të pranonin dhe kërkuan që idhujt të silleshin në brigjet e liqenit ishte po ai liqen që do bëhej dëshmitar i betejës së Dyzet Martirëve (9 mars) që t’i lanin me nderim para se t’u ofronin sakrificë. Sapo i sollën statujat, ato i flakën menjëherë në thellësitë e liqenit. Agrikola u tërbua kur mësoi këtë lajm dhe urdhëroi të ndiznin një zjarr dhe të shkrinin plumb në një enë të madhe, kurse atje pranë të vendosnin sende me vlerë. Ai u tha grave se duhej të vendosnin nëse preferonin torturat apo rrobat dhe xhevahiret e vyera, që ishin bërë gati për to. Njëra prej grave rendi dhe i flaku rrobat e shtrenjta në zjarr, e nxitur edhe nga dy bijat e saj, që i thanë: “Mos na lër! Ashtu siç na ke ushqyer me qumështin tënd, lërna të të ndjekim në Mbretërinë e Qiejve”. Tirani i lidhi gratë pas disa hunjve dhe xhelatët ua çorën mishin me thonj hekuri. Por, meqë mbetën të paprekura në mënyrë të mrekullueshme, edhe kur i hodhën në mes të flakëve, ua prenë kokën, ndërsa falënderonin Perëndinë dhe shërbëtorin e Tij, Vlashin.
Pasi dështoi në përpjekjet e tij për të thyer vendosmërinë e Vlashit, Agrikola dha urdhër që ta hidhnin në liqen. Martiri i shenjtë bëri shenjën e Kryqit në breg të liqenit dhe nisi të ecte mbi sipërfaqen e ujit, ashtu si Shpëtimtari në detin e Galilesë. Kur mbërriti në mes, i ftoi paganët të vinin atje nëse besonin vërtet në perënditë e tyre. Kështu, 68 prej tyre morën guximin ta pranonin atë sfidë dhe u mbytën. Në këtë kohë plot shkëlqim u shfaq një engjëll dhe i tha shenjtorit të kthehej në breg, për të marrë kurorën e martirizimit.
Kur ai dhe dy fëmijët e patrembur u dënuan me prerje koke, shën Vlashi, duke shkëlqyer me dritë hyjnore, bëri një lutje për të gjithë ata që do të kërkonin ndërmjetimin e tij në çdo kohë për sëmundje dhe sprova. Zoti u shfaq në këtë çast tek ai me lavdinë e Tij, duke thënë: “E kam dëgjuar lutjen tënde dhe do ta plotësoj kërkesën”. Trupat e martirëve të shenjtë u vendosën për t’u prehur në tokë dhe u bënë burim bekimesh për ata që vinin çdo vit në vendin e martirizimit për të kremtuar kujtimin e tyre. Shën Vlashi është një nga shëruesit e shenjtë më të nderuar si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.
* * * * *
– Mbretëresha Theodhora –
Shën Theodhora vinte nga një familje e njohur e Paflagonisë, e cila prej kohësh ishte vendosur në Konstandinopojë. Anëtarët e saj kishin arritur në poste të larta shtetërore. Theodhora ishte bekuar me një bukuri të jashtëzakonshme dhe inteligjencë të lartë, e gjithashtu, kishte trashëguar nga e ëma saj, Theoktista, besimin e zjarrtë dhe devocionin e palëkundur ndaj Perëndisë. Ajo u zgjodh në mes të vajzave më të mira të fisnikërisë për t’u bërë bashkëshortja e perandorit Theofil (830) dhe i përmbushi me përpikëri detyrimet e saj si grua dhe perandoreshë, ndërsa përdorte tërë fisnikërinë dhe mirësinë e saj për të zbutur mizorinë e Theofilit, kur ai ringjalli me një egërsi të padëgjuar persekutimin e ikonave të shenjta. Ndërkohë që pohuesit e Orthodhoksisë, më të shenjtët e kohës, persekutoheshin, torturoheshin e internoheshin në skajet më të largëta të perandorisë, Theodhora qëndronte në pohimin e besimit të vërtetë dhe nderonte në fshehtësi ikonat e shenjta, të fshehura në dhomën e saj të gjumit. Një ditë, njëri prej oborrtarëve, e kapi në befasi teksa po puthte ikonat e shenjta dhe shkoi për t’ia treguar këtë perandorit, që e qortoi ashpër në praninë e tij. Megjithatë, ajo arriti të largonte prej vetes me mjeshtëri akuzat dhe ligësitë e akuzuesit dhe vazhdoi t’u ofronte në fshehtësi mbështetje pohuesve të besimit orthodhoks. Pavarësisht se ndalohej nga i shoqi, ajo shkonte shpesh me 5 vajzat e saj për të takuar të ëmën, që ishte bërë murgeshë në manastirin e themeluar nga ajo vetë dhe që ishte një kritike e ashpër e politikave jobesimtare të Theofilit dhe të persekutimit të ashpër që u bënte të krishterëve.
Pas 12 vjetësh, Theofili u ndëshkua nga Perëndia me një dizenteri të rëndë. Theodhora, nga mëshira e saj e madhe, si dhe nga mërzitja që ndjeu kur pa të shoqin të vuante në atë mënyrë të dhimbshme, i solli atij një ikonë të Hyjlindëses dhe ia vendosi mbi fytyrë. Pasi erdhi në vete nga një vizion i tmerrshëm që pa, Theofili puthi ikonën e shenjtë dhe pohoi Besimin e vërtetë para se të jepte shpirt.
Meqenëse trashëgimtari i fronit, Mihail III, ishte vetëm 4 vjeç, Theodhora mori regjencën, duke u mbështetur në këshillat e urta të logothetit Theoktist (20 nëntor) dhe ndërmori restaurimin e të gjitha ikonave të shenjta, si dhe rikthimin e pohuesve të besës orthodhokse nga internimi. Në mars të vitit 843, ajo thirri një sinod që hoqi patriarkun heretik Joan VII, autorin e kaq shumë të këqijave, dhe ngriti shën Metod Konfesorin në fronin patriarkal (14 qershor).
Pas anatemimit të heretikëve dhe konfirmimit të vendimeve të Sinodit të Shtatë Ekumenik (787), etërit u mblodhën të Dielën e Parë të Kreshmës (843), me të gjithë konfesorët, priftërinjtë dhe murgjit që kishin ardhur nga skajet e largëta të perandorisë, duke mbajtur ende në trupat e tyre shenjat e përgjakura të pohimit plot guxim të besimit të vërtetë. U bë një litani e madhe, që përshkoi mbarë qytetin e kështu u inaugurua restaurimi i plotë i ikonave të shenjta. Që nga ajo kohë, kjo e kremte kremtohet çdo vit, të Dielën e Parë të Kreshmës së Madhe dhe është bërë simboli i triumfit të Orthodhoksisë mbi të gjitha herezitë.
Kur u vendos paqja në Kishë, Theodhora tregoi një talent të madh qeverisjeje, veçanërisht në fushën ekonomike. Ungjillëzimi i Moravisë dhe i Bullgarisë nga misionarë të Perandorisë Bizantine ka qenë nismë e saj. Por, me gjithë kujdesin e madh që tregoi për të birin, Mihaili III, ai u tregua mosmirënjohës ndaj saj. Vëllai i saj, Bardasi, një njeri i aftë, por me jetë imorale, që kishte ardhur në pushtet falë Theodhorës, ndikoi negativisht te perandori i ri. Ai e bindi atë t’i jepte fund regjencës, edhe pse nuk e kishte mbushur ende moshën dhe ta detyronte Theodhorën dhe vajzat e saj të tërhiqeshin në manastirin e Gastrias (858), edhe pse patriarku Ignat nuk pranoi t’u jepte qethjen murgërore.
Duke iu nënshtruar vendimeve të Përkujdesjes Hyjnore, Theodhora ia kushtoi veten dhe jetën e saj kreshmës, lutjes dhe të gjitha rregullave të jetës engjëllore. Ajo ia dha frymën e saj Perëndisë më 11 shkurt 867. Kur ra Konstandinopoja, lipsanet e saj, që kishin mbetur të paprishura, i çuan në Korfuz bashkë me ato të shën Spiridhonit. Të vendosura me hijeshi në katedrale, ato shpëtuan në mënyrë të mrekullueshme nga një bombardim gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe janë burim i madh bekimesh për besimtarët.