– Dëshmor Trifoni –
Ky martir i lavdëruar i Krishtit lindi në Lampsaka të Frigjisë. Që në vitet e fëmijërisë, prindërit e tij, njerëz të thjeshtë, e frymëzuan aq shumë me dashuri për virtytet ungjillore, saqë Krishti i dhuroi shumë herët atij një rojtari të thjeshtë patash hirin e shërimit të sëmundjeve të njerëzve dhe të kafshëve, si dhe dëbimin e shpirtrave të ndyrë.
Vajza e perandorit Gordian (238-244) ishte zotëruar prej kohësh nga një demon i tmerrshëm, që nuk pyeste as për përpjekjet e mjekëve dhe as të magjistarëve, të cilët donin ta dëbonin. Një ditë, ajo thirri me sa zë kishte: “Vetëm Trifoni e ka fuqinë që të më dëbojë!”. Perandori dërgoi njerëz në mbarë perandorinë që ta gjenin këtë shërues dhe e zbuluan në personin e një djali të ri 17-vjeçar, i cili po kulloste patat.
Trifonin e sollën në Romë dhe, me anë të fuqisë së lutjes së tij, demoni u dëbua nga vajza në formën e një qeni të zi me pamje të urryer. Kjo ngjarje u bëri të ditur banorëve të qytetit se ai dhe të ngjashmit me të pjella të Satanit, atit të ligësisë, nuk kanë kurrfarë pushteti mbi të krishterët. Perandori mirënjohës e mbushi Trifonin plot me dhurata, të cilat ai ua shpërndau të varfërve gjatë kthimit për në vendlindje.
Kur u kthye, u mor përsëri me kullotjen e patave, duke bërë mrekulli dhe të mira, si bekime qiellore përreth tij, derisa shpërtheu persekutimi në kohën e Decit (250). E denoncuan tek Akuilini, prefekti i Lindjes, si një përhapës të rrezikshëm të Krishterimit. Ai u dorëzua vetë tek ushtarët që erdhën për ta arrestuar dhe qëndroi i qetë përpara gjykatës në Nikea, duke shpërfillur si kërcënimet ashtu dhe lajkat e prefektit.
Fillimisht e lidhën në një shtyllë, ku e rrahën për tri orë me shpata druri që përdoreshin gjatë stërvitjeve ushtarake. Kur e panë se nuk donte t’ia dinte për dhimbjet, e lidhën pas kalit të Akuilinit dhe e detyruan të vraponte pas tij jashtë qytetit, zbathur dhe nëpër rrugë plot me gurë. Kur e kthyen në Nikea, meqë martiri nuk pranonte t’i falej statujës së perandorit, i ngulën gozhdë në këmbë dhe e çuan në forumin e qytetit. Atje ushtarët vazhduan ta torturonin, i thyen gjymtyrët, i dogjën brinjët me pishtarë, tortura që ai i duroi me gëzim duke u lutur për xhelatët e tij.
Durimi i martirit të ri, vuajtjet e të cilit u shndërruan nga dashuria e Krishtit në kënaqësi qiellore, fitoi admirimin e turmës. Papritur, një kurorë lulesh e zbukuruar me gurë të çmuar zbriti nga qielli dhe qëndroi mbi kokën e tij. Akuilini, i dëshpëruar për faktin që pafuqia e tij ishte shfaqur sheshit, urdhëroi ekzekutimin e martirit të shenjtë jashtë qytetit, por Trifoni dha shpirt para se xhelati t’i priste kokën.
Të krishterët e Nikeas kishin një dëshirë të madhe për të mbajtur lipsanin e tij në qytetin e tyre, por shenjtori, në një vegim, u bëri të ditur se vullneti i tij ishte që të prehej në atdhe, në Frigji. Atëherë ia çuan trupin në Lampsaka, ku kreu shumë mrekulli gjatë shekujve. Ai lutet për mbrojtjen e kopshteve dhe bimëve nga karkalecat dhe të gjitha llojet e insekteve.
* * * * *
– Oshënar Petro në Galati –
Ky atlet trim i besës në moshën 7-vjeçare i la prindërit, për të bërë jetë asketike pa asnjë ndërprerje, për 92 vjet. I nxitur nga dashuria për Krishtin, ai e la atdheun e tij, Galatinë (Azia e Vogël), për të vizituar vendet që Krishti i ka shenjtëruar me praninë e Tij. Kur u kthye nga pelegrinazhi, zelli që gjeti në Antioki dhe në rrethinat e saj, ku shumë asketë jetonin të shpërndarë dhe u ngjasonin luleve të një livadhi shpirtëror, bëri që Petroja të vendoste të banonte atje përfundimisht në një varr, duke jetuar vetëm me pak bukë e ujë një herë në dy ditë.
Me anë të këtyre përpjekjeve ai fitoi hir të madh te Perëndia dhe kreu shumë mrekulli për të ngushëlluar njerëzit. Kështu, vetëm me një shenjë të kryqit shëroi sytë e nënës së biografit të tij, Theodhoretit të Kirit, e cila vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ai bëri një mrekulli edhe më të madhe, duke i bërë vërejtje për maninë e saj, rrobat e shtrenjta dhe tualetin, kotësi që fyejnë urtësinë hyjnore, duke pretenduar që të zbukurojë ikonën e Perëndisë.
Që nga ajo ditë ajo i bënte vizitë çdo javë me djalin e saj të vogël, që njeriu i Perëndisë ta merrte e ta mbante në prehër, ta ushqente me bukë e rrush. Një ditë, ai këputi rripin e tij të trashë prej liri, e ndau në dy pjesë dhe lidhi me të Theodhoretin. Kjo relike e vyer kreu më pas shumë mrekulli, njësoj si rrobat e apostujve të shenjtë (shih Veprat 19, 11-12).
Shenjtori dëboi me fuqinë e lutjes së tij një numër të madh demonësh. Kështu, ai çliroi kuzhinierin e një shtëpie fisnikësh në Antioki. Ky i fundit ishte pushtuar nga demoni, sepse ishte tallur njëherë duke veshur rroba murgërore dhe duke u shtirur sikur po ekzorcizonte shërbëtorët e tjerë. Pasi e ndriçoi për shumë vjet Antiokinë me anë të rrezeve të Hirit të Perëndisë, në vitin 404, në moshën 99-vjeçare, oshënar Petroja fjeti në paqe për të marrë kurorën qiellore.