– Oshënar Efrem Siriani –

Ky yll i shkëlqyer i Kishës u ngrit në Lindje, në qytetin e largët të Nisibit (Mesopotami), rreth vitit 306. Ishte ende i ri kur i ati një prift pagan e dëboi nga shtëpia, për shkak të simpatisë që kishte për besimin e krishterë. Ai u prit nga episkopi i shenjtë Jakov (13 janar), i cili i mësoi dashurinë për virtytet dhe studimin sistematik të fjalës së Perëndisë. Studimi i Shkrimit të Shenjtë ndezi tek ai flakën e besimit, e cila e bëri të përbuzte të mirat dhe përkujdesjet e kësaj bote, për të lartësuar shpirtin e tij drejt dëfrimit të të mirave qiellore. Besimi te Perëndia, i palëkundur si mali Sion, bëri që të përqafonte një mënyrë të pëlqyeshme jetese. Pastërtia që kishte në trup dhe në shpirt, i kapërcente kufijtë e natyrës njerëzore dhe e kishte bërë mbret, që të qeveriste tërë lëvizjet e shpirtit, duke mos lënë asnjë mendim të keq të shfaqej në horizontin e mendjes. Kurrë nuk i kishte thënë diçka të keqe dikujt ose t’i kishte shpëtuar nga goja ndonjë fjalë e pahijshme.

I zbrazur nga gjithçka, ashtu si apostujt, duke luftuar ditën kundër urisë dhe natën kundër gjumit, dhe duke i veshur veprimet edhe fjalët e tij me përulësinë e shenjtë të Krishtit, mori nga Perëndia dhuratën e dërrmimit të shpirtit dhe lotët e vazhdueshëm në atë shkallë, sa në korin e shenjtorëve zinte vendin e privilegjuar të “mësuesit të dërrmimit të shpirtit”. Me një mrekulli, e cila njihet vetëm nga ata që ofrohen si flijim plotësisht te Zoti, sytë i qenë transformuar në dy burime të pashtershme lotësh. Për vite të tëra, në asnjë moment të ditës apo të natës, ky ujë i ndritshëm, pastrues dhe shenjtërues, ky pagëzim i dytë, nuk reshti së rrjedhuri nga sytë e tij, duke e bërë fytyrën pasqyrë tepër të pastër, ku reflektonte prania e Perëndisë. Ai vajtonte vazhdimisht për mëkatet e tij ose për mëkatet e të tjerëve dhe, ndonjëherë, kur kalonte në meditimin e mrekullive që Perëndia ka bërë për ne, këta lot shndërroheshin në lot gëzimi. Si rreth i mrekullueshëm, ku nuk mund të dallohet as fillimi dhe as fundi, psherëtimat i sillnin lotët; lotët, lutjen; lutja, predikimin, i cili ndërpritej nga vajtime të tjera. Duke lexuar ligjëratat e tij të admirueshme për dërrmimin e shpirtit apo përshkrimet e tij kaq realiste për Gjykimin e fundit, edhe zemrat më të ngurta nuk kishin sesi të mos bëheshin të ndjeshme. Brez pas brezi e deri më sot, leximi i veprave të shën Efremit sjell lot në sy, duke u hapur mëkatarëve udhën e pendimit dhe të kthimit.

Pak kohë pas pagëzimit të tij, kur ishte 20 vjeç, Efremi u tërhoq në shkretëtirë, duke iu shmangur zhurmave të qytetit, për të jetuar në qetësi me Perëndinë, në shoqërinë e engjëjve. Shkonte sa në një vend në një tjetër, pa u lidhur me asgjë; shkonte atje ku Fryma e drejtonte, për dobinë e tij dhe të vëllezërve. Ai shkoi në qytetin e Edhesës për një pelegrinazh dhe në kërkim të një njeriu me të cilin mund të bënte jetën monakale. Udhës takoi një grua që bënte jetë të keqe, u shtir sikur i pranoi propozimet e saj dhe, duke i thënë që ta ndiqte, në vend që ta çonte në ndonjë vend të fshehur dhe të përshtatshëm për mëkat, e çoi në sheshin publik. Prostituta e pyeti: “Përse po më sjell këtu? Nuk të vjen turp që po ekspozohesh para vështrimeve të njerëzve?”. Shenjti iu përgjigj: “O fatkeqe, i druhesh vështrimit të njerëzve, po përse nuk i druhesh syrit të Perëndisë, që shikon çdo gjë dhe do të gjykojë ditën e fundit veprimet dhe mendimet tona më të fshehta?”. E pushtuar nga frika, gruaja u pendua dhe iku në një vend të përshtatshëm për shpëtimin e saj.

Pas disa vitesh qëndrimi në Edhesë, shën Efremi u kthye në shkretëtirë. Meqë kishte dëgjuar të lavdëroheshin virtytet e shën Vasilit, Perëndia i zbuloi në një vizion se episkopi i Qesarisë i ngjante një shtylle zjarri që bashkonte qiellin me tokën. Pa humbur kohë, Efremi u nis për në Kapadoki. Mbërriti në Qesari ditën e Theofanisë dhe hyri në kishë në çastin kur kremtohej Liturgjia Hyjnore. Ndonëse nuk kuptonte greqisht, u mallëngjye kur pa episkopin e madh të predikonte, sepse shikonte një pëllumb të bardhë që rrinte në supin e tij dhe i pëshpëriste në vesh fjalët hyjnore. Pikërisht ky pëllumb i zbuloi Vasilit praninë mes turmës të asketit të përulur sirian. Dërgoi dikë që ta gjente, biseduan për pak brenda në hierore dhe, në përgjigje të kërkesës së tij, ai mori nga Perëndia dhuratën që Efremi të fliste menjëherë greqisht, sikur ta njihte këtë gjuhë qysh në fëmijëri. Pastaj e hirotonisi dhjak dhe e la të kthehej në atdhe.

Pikërisht në këtë kohë filloi një seri e gjatë luftërash mes romakëve dhe persëve (338-387) dhe njëkohësisht në mbarë mbretërinë nisën persekutime të pamëshirshme kundër të krishterëve, duke i konsideruar si aleatë të romakëve. Kur Efremi mësoi në shkretëtirë për vuajtjet e vëllezërve, shkoi në Nisibi, që t’i ndihmonte me veprat dhe fjalët e tij. Që kur ishte fëmijë, i ishte zbuluar thirrja e Perëndisë, sepse kishte parë në një vegim një vresht të bollshëm, që do të mbinte prej gojës së tij dhe do të mbushte gjithë tokën. Të gjithë zogjtë e qiellit vinin dhe qëndronin atje, duke u ngopur me frytet e tij dhe, sa më shumë kokrra hanin, aq me më shumë rrush mbushej vreshti. Hiri i Shpirtit të Shenjtë e kishte mbushur me bollëk, sa, kur i drejtohej popullit, gjuha e tij nuk kishte kohë të shprehte mendimet qiellore që Perëndia i frymëzonte dhe dukej sikur i mbahej goja. Për këtë arsye ai i drejtoi Perëndisë këtë lutje: “Përmbaji, o Zot, rrëketë e hirit tënd!”.

Kur nuk merrej me mësimdhënie për forcimin e besës kundër paganëve dhe heretikëve, u shërbente përulësisht të gjithëve, si një shërbëtor i vërtetë, duke imituar Krishtin që u bë për ne “shërbëtor”. Kësisoj, nga përulësia, e refuzonte gjithmonë gradën e priftërisë.

Virtytet, lutja, frytet e soditjes dhe të studimit, të gjitha dhuntitë që Perëndia i kishte dhënë, nuk i ruante vetëm për vete, por e stolisi Kishën, Nusen e Krishtit, si me kurorë të artë me gurë të çmuar. Më 338, kur rrethuan Nisibin, falë lutjes së oshënarit dhe të shën Jakovit, qyteti u çlirua. Por pas luftërave të njëpasnjëshme, qyteti ra në duart e sovranit mizor të persëve, më 363. Nuk pranoi të jetonte nën sundimin pagan dhe, si shumë të krishterë të tjerë, oshënar Efremi u nis për në Edhesë. Atje kaloi dhe 10 vitet e fundit të jetës dhe vazhdoi veprën e papërfunduar të Shkollës së Interpretimit, themeluar në Nisib nga shën Jakovi, duke dhënë mësim në shkollën e Edhesës, e cila që atëherë u quajt “Shkolla e persëve”. Hartoi pjesën më të madhe të veprave të mrekullueshme, ku njohja e tij për Perëndinë dhe për dogmat e shenjta e veshi me stolinë madhështore të një gjuhe të pakrahasueshme poetike. Thuhet se kompozoi në sirisht më shumë se tre milionë vargje: komentarë të shumicës së librave të Shkrimit të Shenjtë, ligjërata kundër herezive, himne për Parajsën, për Virgjërinë, për Besimin, për misteret e mëdha të Shpëtimtarit dhe për të kremtet e vitit. Një pjesë e madhe e këtyre himneve hyri në kompozimin e librave liturgjikë të Kishës në gjuhën siriane, prej nga vjen edhe përcaktimi si “Lira e Shpirtit të Shenjtë” dhe “Mësues i universit”. Ligjërata të tjera të shumta na u transmetuan në greqisht. Flasin kryesisht për dërrmimin e shpirtit, asketizmin dhe virtytet murgërore.

Pasi organizoi ndihmat e para në qytet gjatë zisë së bukës, më 372, oshënar Efremi fjeti në paqe më 373, i rrethuar nga murgj dhe asketë që kishin dalë nga manastiret, nga shkretëtira dhe shpellat, për të qenë me të në momentet e tij të fundit. La një testament prekës, plot përulësi dhe dërrmim shpirtëror, ku kërkonte vazhdimisht nga ata që e donin të mos e nderonin me ceremoni mortore pompoze, por ta vendosnin trupin e tij në një gropë që ishte caktuar për të huajt, dhe të mos i çonin lule e aroma, por lutje.

* * * * *

– Oshënar Paladi –

Oshënar Paladi, mik dhe shok i asketit shën Simeon (i Vjetri, 26 janar), jetonte i vetmuar në mal, pranë fshatit Imai, 25 km në lindje të Antiokisë. Një ditë, teksa kthehej nga panairi që ishte zhvilluar në fshat, një tregtar, i cili kishte një shumë të madhe parash me vete, u sulmua dhe u vra nga një keqbërës. Keqbërësi nuk u kënaq me krimin, por shkoi dhe e vuri kufomën para qelisë së njeriut të Perëndisë.

Në mëngjes, kur lajmi i vrasjes u përhap, turma e ndërsyer shkoi para eremitit, i shqeu portën dhe kërkoi të vinte drejtësinë në vend për këtë krim. Shenjti u lut që Perëndia ta ndihmonte dhe, për çudi, i vdekuri u ngrit dhe tregoi me gisht vrasësin në mes të turmës. Turma nuk përmbahej, u sul për ta kapur vrasësin e vërtetë, të cilit i gjetën shpatën ende me gjak dhe paratë e vjedhura. Banorët i kërkuan të falur eremitit dhe që nga ajo ditë filluan ta nderonin shumë. Paladi vazhdoi të kryente mrekulli të ndryshme, derisa u nis për te Zoti.