– Oshënar Ksenofoni e familja –

Oshënar Ksenofoni ishte senator i pasur dhe i nderuar në Konstandinopojë gjatë mbretërimit të Justinianit (527-565). Gruaja i dhuroi dy djem, Arkadin dhe Joanin, të cilëve iu dha edukim të shkëlqyer dhe, kur u rritën, i dërgoi të studionin për drejtësi në shkollën e famshme të Bejrutit. Pas pak kohësh, shenjti u sëmur rëndë dhe i thirri pranë të dy bijtë, që t’u jepte porositë e fundit; por ai e rimori veten dhe të dy djemtë u larguan përsëri për të vazhduar studimet. Mirëpo anijen me të cilën udhëtonin e rrëmbeu furtuna, dhe dallga i hodhi të dy vëllezërit në breg, por në vende të ndryshme. Megjithëse të ndarë, larg njëri-tjetrit, u ruajtën të paprekur nga hiri i Perëndisë.

Pasi doli në breg, pranë Tirit, Joani falënderoi Zotin dhe, si kuptoi kotësinë e gjithçkaje në tokë, u bë murg në manastirin e zonës. Ndërsa tek Arkadi përziheshin lotët e gëzimit që shpëtoi me lotët e hidhërimit, sepse e mendonte të vëllain të humbur në dallgët e detit. Por një natë pa në ëndërr Joanin duke i buzëqeshur dhe që e qetësoi, e këshilloi të përqafonte jetën murgërore, që ati i tyre u kishte mësuar ta nderonin mbi gjithçka. Pas kësaj shkoi në Jerusalem dhe nderoi Vendet e Shenjta. Rrugës takoi një jeront të shenjtë, i cili, kur pa pikëllimin e të riut, i tha: “Mos ji i trishtuar, bir, vëllai yt jeton. Ai është bërë murg dhe ti do t’i shikosh prindërit, se edhe ata do të bëhen murgj”. Pastaj avai e shpuri në Lavrën e Sukas, themeluar nga shën Haritoni, dhe e futi në qelinë ku kishte kaluar 50 vjet. E la atje të jetonte për një vit vetëm, me kreshmë dhe lutje.

Dy vjet më vonë, pasi nuk kishte marrë asnjë lajm nga fëmijët, Ksenofoni dërgoi një nga shërbëtorët e tij në Bejrut. Meqenëse nuk i gjeti atje, mori rrugën për në Athinë, dhe një mbrëmje takoi në një han një nga shërbëtorët e të rinjve me veshje murgërore. Ai i tregoi për stuhinë në det dhe mendoi se të dy djemtë ishin mbytur. Kur Maria e mori vesh këtë lajm, e përmbajti hidhërimin dhe lavdëroi Perëndinë, i Cili vepron siç Ai di.

Kur erdhi mbrëmja dhe Ksenofoni u kthye në shtëpi, mësoi për kthimin e shërbëtorit të tij dhe priste lajme. Por kur pa Marinë të shpërthente në lot dhe t’i thoshte se fëmijët kishin humbur gjatë një furtune, ai i tha së shoqes: “Zoti i ka dhënë, dhe Zoti i ka marrë… Emri i Zotit qoftë i bekuar”(Jov 1.21). U veshën me thes dhe tërë natën e kaluan në lutje; në mëngjes panë në ëndërr fëmijët e tyre që qëndronin para Krishtit dhe mbanin mbi kokë kurorë me gurë të çmuar. Pas kësaj vendosën të shkonin në pelegrinazh në Vendet e Shenjta. Arritën në Jerusalem dhe takuan atin shpirtëror të Arkadit, i cili u zbuloi se fëmijët e tyre ishin gjallë dhe së shpejti do t’i shikonin, pasi të vizitonin manastiret e Jordanit. Me anë të një mrekullie të Providencës, Joani dhe Arkadi u gjendën në Golgotha, ku shkuan për të takuar jerontin e shenjtë. Dy ditë më vonë, prindërit e tyre u kthyen nga pelegrinazhi, nderuan Varrin e Shenjtë dhe shkuan pranë jerontit që t’ia kujtonin edhe një herë premtimin që u kishte bërë. Duke parë hijeshinë, dallueshmërinë dhe mirësjelljen e dy nxënësve të jerontit që shërbenin, Ksenofoni dhe Maria pyetën avanë se nga vinin këta të rinj. Atëherë Arkadi ua zbuloi prindërve të tij se kush ishin dhe ata shpërthyen në lot gëzimi dhe vendosën që t’ia kushtonin jetën Perëndisë. Të dy vëllezërit i lanë prindërit dhe shkuan pas eremitit në shkretëtirë. Ksenofoni e shpërndau gjithë pasurinë e tij dhe i dha fund jetës bashkëshortore. E shoqja hyri në një manastir grash, veshi skimën engjëllore dhe jetoi në vetminë e shkretëtirës. Të dy u lartësuan kaq shumë në virtyt, sa Perëndia u dha dhuratën e largpamësisë dhe të mrekullive.

* * * * *

– Oshënar Ava Amonai –

Oshënar Amonai ishte dishepull i Andonit të Madh dhe u bë pasuesi i tij në krye të eremitëve të malit të Pispirit, pasi kaloi 14 vjet në skitë, duke iu lutur pa pushim Zotit, që të triumfonte mbi zemërimin. Në vazhdim u hirotonis episkop, ka shumë mundësi nga shën Athanasi i Madh. Zotëronte papasionshmëri të atillë, sa mund të thuhej se nuk e njihte të keqen dhe se ishte i paaftë të gjykonte.

Një ditë erdhën tek ai disa njerëz dhe i kërkuan t’i gjykonte konfliktin që kishin. Shenjti u shtir si i marrë dhe iu përgjigj kështu një gruaje që e mendonte për të çmendur: “A e di se sa mundim kam hequr që të fitoj këtë marrëzi dhe për shkakun tënd do ta humb sot!”.

Një herë tjetër, kur po e çonin te një vëlla që kishte nam të keq, shenjti u ul mbi fuçinë ku ai kishte fshehur gruan me të cilën mëkatonte, ndërsa akuzuesit kërkonin më kot nëpër qeli. Pastaj i tha fatkeqit me thjeshtësi: “Vëlla, kujdesu për veten!”.

Kur e pyetën se cilat vepra asketike janë më të pëlqyeshme para Perëndisë, ai u përgjigj: “Mbyllu në qelinë tënde, ha pak çdo ditë dhe ruaji në zemër fjalët e publikanit (Lluk. 18.13), dhe do të shpëtohesh”. Ai thoshte gjithashtu se frika e Perëndisë sjell psherëtimat dhe lotët dhe këto bëjnë të shfaqet gëzimi në shpirt, e mbushin atë me fuqi hyjnore për të bërë atë që është e pëlqyeshme te Perëndia dhe se kjo fuqi prej së larti na vendos në shoqërinë e engjëjve. Të ngritur nga lartësia në lartësi, duke u lutur përulësisht për t’u çliruar nga mëkati, thoshte ai, na zbulohen misteret e Perëndisë.

Me emrin e ava Amonait është ruajtur një seri prej 14 letrash të mrekullueshme, në të cilat shenjti u drejtohet dishepujve të tij, duke i nxitur të bënin gjithçka për të marrë Shpirtin e Shenjtë, Shpirtin e së Vërtetës, Shpirtin e Zjarrit. Duke ecur në udhën e ngushtë të jetës eremite dhe të mohimit të vullnetit vetjak, ata mund ta gjejnë këtë perlë të çmuar, këtë thesar të fshehur në arën e zemrës. Dhe kur e gjejnë, duhet ta kultivojnë ditë e natë, duke e pastruar zemrën nga mendimi i kotë. Atëherë, dhuntia e Shpirtit i jepet shpirtit si dritë që sa vjen e rritet, në masën e përparimit të tij në përsosmëri. Kjo dritë do të jetë një balsam, një plotësi e gëzimit dhe e butësisë, e cila do ta bëjë murgun të përmbushë çdo vepër të mirë në liri dhe ngazëllim. Prandaj, i fuqizuar nga hiri, ai duhet të përballojë më pas sulmet e tundimeve dhe Shpirti do të tërhiqet që ta sprovojë. Nëse këmbëngul, Zoti do t’i japë “një zell të dytë, më të mirë se i pari”, i cili do ta bëjë shpirtin të ngjitet “në qiellin e qiejve”, atje ku banon Krijuesi i tij. Duke u bërë i përkryer, nuk do ketë më nevojë të lutet për veten, por vetëm për të afërmin e tij dhe kjo lutje do ta mbështesë botën.