– Apostulli – 2 Korinthianëve 12:20-13:2.
Sepse kam frikë se mos, kur të vij, nuk ju gjej të tillë siç dua, edhe mua nuk do të më gjeni të tillë siç më doni; se mos ka ndër ju grindje, zilira, zemërata, të zëna, përgojime, tinëzira, mendjemadhësira, trazira; se mos, kur të vij përsëri, më përul Perëndia im përpara jush, dhe vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar që përpara dhe s’janë penduar për fëlliqësinë dhe për imoralitetin e për ndyrësinë që bënë.
Kjo është e treta herë që vij tek ju. “Çdo fjalë do të mbështetet në gojën e dy dhe tre dëshmitarëve”. Parathashë dhe parathem, si i pranishëm për së dyti, edhe tani që jam larg po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar që përpara dhe gjithë të tjerëve, se, në ardhsha përsëri, nuk do të kursehem.