– Apostulli – 2 Korinthianëve 8:16-9:5.
Po falënderojmë Perëndinë që jep në zemrën e Titos po atë kujdes për ju; sepse pranoi lutjen tonë; edhe duke qenë më i kujdesshëm, doli me dashjen e tij për të ardhur tek ju. Edhe bashkë me të dërguam vëllanë, lëvdimi i të cilit për ungjillin është nëpër të gjitha kishat.
Edhe jo vetëm kaq, po edhe u zgjodh prej kishave që të udhëtojë me ne me këtë dhuratë që shërbehet nga ne për lavdinë e vetë Zotit, edhe për të treguar gatishmërinë tuaj; duke u druajtur nga kjo, se mos na qorton ndonjë për këtë bujari të madhe që kujdesohet nga ne, sepse përkujdesemi për punë të mira jo vetëm përpara Zotit, po edhe përpara njerëzve.
Edhe dërguam bashkë me ata vëllanë tonë, të cilin e kemi provuar shumë herë në shumë punë se është i zellshëm, po tani është shumë më i zellshëm për besimin e madh që ka tek ju. Sa për Titon, ai është shoku im dhe bashkëpunëtor tek ju; edhe sa për vëllezërit tanë, këta janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit. Tregojuni pra atyre dëshminë e dashurisë suaj dhe të mburrjes sonë për ju përpara kishave.
Sa për shërbesën që bëhet për shenjtët është e tepërt për mua t’ju shkruaj, sepse e di gatishmërinë tuaj, për të cilën mburrem për ju tek Maqedonasit, se Akaia u përgatit që vjet; edhe zelli juaj nxiti më të shumtët. Edhe dërgova vëllezërit, që në lidhje me këtë të mos dalë e kotë mburrja jonë për ju, që, siç kam thënë, të jeni të përgatitur; se mos, në ardhshin bashkë me mua Maqedonas, e ju gjejnë të papërgatitur, turpërohemi ne, që të mos them ju, për këtë besim në mburrjen tonë.
Prandaj mendova se është e nevojshme t’u lutem vëllezërve që të vijnë më parë tek ju e të përgatisin këtë dhuratë tuajën bujare që u zotuat më parë, që kështu kjo të jetë e gatshme si bujari e jo si lakmim.