UNGJILLI – Joani 3:22-33.
Pastaj erdhi Jisui dhe nxënësit e tij në tokën e Judesë, edhe atje rrinte bashkë me ata dhe pagëzonte. Ishte edhe Joani duke pagëzuar në Enon, afër Salemit, sepse atje ishin shumë ujëra; edhe vinin e pagëzoheshin. Sepse Joani ende s’ishte hedhur në burg. U bë pra një bisedë rreth pastrimit prej nxënësve të Joanit me një jude. Edhe erdhën tek Joani dhe i thanë atij: Rabbi, ai që ishte bashkë me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja ky tek po pagëzon, edhe të gjithë vijnë tek ai.
Joani u përgjigj e tha: Asnjeri nuk mund të marrë gjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli. Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij. Ai që ka nusen, është dhëndëri; ndërsa miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit. Pra, ky gëzimi im u përmbush. Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem. Ai që vjen prej së larti, është mbi të gjithë. Ai që është prej dheut, prej dheut është, edhe prej dheut flet; ai që vjen prej qiellit, është mbi të gjithë. Edhe atë që pa e dëgjoi, për këtë dëshmon; po asnjë nuk e pranon dëshminë e tij. Ai që pranon dëshminë e tij, ka vulosur se Perëndia është i vërtetë.