– Apostulli – Hebrenjve 4:1-13

 

Prandaj, deri sa mbetet ndër ne një premtim për të hyrë në prehjen e atij, le të kemi pra frikë se mos ndonjë prej jush duket se mbeti jashtë. Sepse edhe ne jemi ungjillëzuar, sikurse dhe ata; por atyre nuk u bëri dobi fjala që dëgjuan, sepse s’qe bashkuar me anë të besimit me ata që e dëgjuan.

Sepse hymë në prehje ne që besuam, siç ka thënë: “Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”, ndonëse punët e tij u mbaruan qëkurse u themelua bota. Sepse ka thënë në një vend për të shtatën ditë kështu: “Edhe u preh Perëndia në të shtatën ditë nga gjithë punët e tij”. Edhe në këtë vend përsëri: “S’kanë për të hyrë në prehjen time”.

Pasi ka mbetur pra të hyjnë disa veta në atë, edhe ata që u ungjillëzuan më përpara nuk hynë prej mosbindjes së tyre, përsëri cakton një ditë: “Sot”, duke thënë me anë të Davidit, pas kaq kohe, siç është thënë: “Sot në dëgjofshi zërin e atij, mos i ashpërsoni zemrat tuaja”. Sepse po t’i kishte prehur ata Jisui i Naviut, nuk do të kishte folur pastaj për një tjetër ditë. Mbetet pra, prehje për popullin e Perëndisë. Sepse ai që hyri në prehjen e tij, edhe ai u preh nga punët e tij, sikurse Perëndia nga të tijat. Le të përpiqemi pra të hyjmë në atë prehje, që të mos bjerë ndonjë në atë shembull të mosbindjes.

Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, edhe më e mprehtë se çdo thikë me dy tehe, edhe depërton deri në ndarjen e frymës dhe të shpirtit, të nyjeve e të palcave, edhe gjykon mendimet dhe synimet e zemrës. Edhe përpara tij s’ka asnjë krijesë të padukshme, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara në sytë e atij, të cilit ne kemi për t’i dhënë llogari.