Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Zyra e Katekizmit në bashkëpunim me World Vision, nga data 11-18 Maj zhvilloi aktivitetin festiv me rastin e festës së Pashkës me fëmijët e katekizmit të zonës së Shpatit. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e manastirin të Shën Joan Vladimirit. Më datë 11 Maj në këtë aktivitet morën pjesë fëmijët e katekizmit të Shelcanit dhe Mlizës, dhe më datë 18 Maj u organizua për grupet e Gjinarit, Valshit edhe Pashtreshit.
Programi ishte mjaft i larmishëm. Lutja hapëse e aktivitetit u krye në kishën e manastirit. Mësimi u fokusua mbi ngjalljen e Krishtit. Përgjatë mësimit u theksua dashuria e madhe e Krishtit, I Cili pësoi dhe kryqëzua për ne dhe mundi vdekjen me vdekje. Gjithashtu fëmijët mësuan shprehjen tradicionale të kësaj feste, “Krishti u Ngjall, Vërtetë u Ngjall”.
Më pas programi vazhdoi me këngë të krishtera në lidhje me Pashkën. Ky aktivitet krijoi një atmosferë gezimi dhe hareje për të gjithë. Fëmijët me zërat e tyre të mrekullueshëm i dhanë edhe më shumë gëzim festës me këngët që ata këndonin. Nuk munguan as dhe lojrat argëtuese dhe zbavitëse të cilat ishin ideuar në lidhje me ngjarjet e Pashkës. Programit gjithashtu përfshinte edhe punën e dorës të cilën fëmijët e pëlqejnë shumë. Si punë dore në këtë aktivitet fëmijët bënë zbukurimin e vezës së Pashkës.
Pasi kaluam një ditë të bekuar dhe të gëzuar programi u mbyll me falenderime për ata që ndihmuan në realizimin e këtij programi. Fëmijët u shprehën se ky aktivitet ishte mjaft argëtues, edukues dhe kudo ndjehej gëzimi i festës së Pashkës. Ata nuk harruan të thonin nëse do të festonin kështu edhe Pashkën e viteve të tjera. Lutja e mbylljes u zhvillua në kishë dhe të gjithë falenderuan Perëndinë për gjithçka. Në fund të këtij aktiviteti fëmijët si edhe stafi organizues shkuan të hanin drekën e asaj ditë së bashku. Ky aktivitet u organizua nga Atë Irine Gega, Katekist Armand Oga në bashkëpunim me World Vision, gjithashtu ndihmuan studentët e Akademisë Theologjike Andrea Ranxha dhe Bledar Skënderi.
Armand Oga