– Apostulli – 2 Thesalonikasve 2:13-3:5

 

Por ne kemi detyrë të falënderojmë Perëndinë përherë për ju, o vëllezër të dashur prej Zotit, se Perëndia ju zgjodhi ju që në fillim për shpëtim me anë të shenjtërimit të Frymës dhe me anë të besimit në të vërtetën, në të cilën ju thirri me anë të ungjillit tonë, për të fituar lavdinë e Zotit tonë Jisu Krisht.

Prandaj pra, o vëllezër, qëndroni, edhe mbani ato porosi që mësuat, qoftë me anë fjale, qoftë me anë letre prej nesh. Edhe vetë Zoti ynë Jisu Krisht, e Perëndia dhe Ati ynë, i cili na deshi e na dha ngushëllim të përjetshëm edhe shpresë të mirë me anë të hirit, ngushëlloftë zemrat tuaja e ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.

Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne që të përhapet me të shpejtë dhe të lavdërohet fjala e Zotit, sikurse edhe ndër ju, edhe që të shpëtojmë nga njerëzit e kotë e të ligj; sepse besimi nuk është tek të gjithë. Por Zoti është besnik, i cili do t’ju forcojë e do t’ju ruajë prej të ligut, edhe kemi besim tek ju me anë të Zotit, se ato që ju porositëm, edhe i bëni, edhe do t’i bëni. Edhe Zoti drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë, edhe në durimin e Krishtit.