Gjatë muajit korrik 2013, personeli shëndetësor i komunës Shushicë në Elbasan mori pjesë në trajnimin me temë “Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës”, i organizuar nga Diakonia Agapes (zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë), në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave”. Me mbështetjen financiare të Bread for the World – Gjermani, bashkëpunimin e komunës Shushicë dhe i akredituar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, aktiviteti i shtrirë në tri ditë, aftësoi 16 anëtarë të personelit shëndetësor mbi shkaqet, diagnostikimin e veçanërisht mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit të komunitetit për kontrollin e rregullt te mjeku dhe kryerjen e pap-testit.
Gjatë sesioneve të ndryshme, pjesëmarrësit të ndarë në grupe diskutuan për përvojën e tyre me komunitetin, veçanërisht gratë, mungesat që ato kanë dhe vështirësitë që hasin për të kryer ekzaminimet e domosdoshme për parandalimin e sëmundjes. Gjithashtu ata përmendën disa nga pengesat për ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor dhe dinjitoz për rreth 10,000 banorë të komunës së tyre, si për shembull, mungesat e theksuara të infrastrukturës mjekësore dhe mundësitë e pakta të përditësimit të njohurive të tyre. Në të njëjtën kohë, vlerësuan mbështetjen e mundësuar nga projekti për përmirësimin e kësaj infrastrukture dhe trajnimet në të cilat ata kanë marrë pjesë që prej fillimit të projektit, në vitin 2012.
Ashtu siç pohojnë edhe drejtuesit e këtij personeli, aftësimi përmes trajnimeve u mundëson atyre të ofrojnë shërbim cilësor dhe të përmirësojnë treguesit e shëndetit lidhur me depistimet për kancerin e qafës së mitrës apo të gjirit, të cilat janë një problem i mprehtë shëndetësor jo vetëm për 2000 gratë e moshës mbi 35 vjeç, por për gjithë banorët e komunës.
Olta Ndroqi