Apostull Kodrati nga të 70-t
Kodrati jetoi në kohën e Zotit tonë Jisu Krisht. Ai ishte i urtë dhe i ditur e, pasi u bë nxënës i Krishtit, mori me bollëk hirin e Shpirtit të Shenjtë. U bë episkop i Athinës dhe solli në besimin e vërtetë shumë paganë, me anë të fjalëve të tij hyjnore që i linin pa përgjigje sofistët egoistë. Suksesi i tij i madh ngjalli xhelozinë e armiqve të Krishtit, që e dëbuan nga dioqeza e tij pasi e goditën me gurë dhe e bënë të vuajë shumë tortura të frikshme.
Shkoi në Magnesi, ku mësimi i tij i ndriçuar bëri përsëri mrekulli duke dëbuar mësimet e idhujtarisë. Mori kurorën e martirit në mbretërimin e Adrianit (në vitin 117). Trupi i tij u nderua së tepërmi në Magnesi dhe u solli shërim e ngushëllim atyre që i afroheshin me besim.
Profeti Jona
Jonai është një nga dymbëdhjetë “profetët e vegjël” të Dhiatës së Vjetër. Ishte miku i Amitejit. Banonte afër qytetit të Azotit, në breg të detit, në territorin e Filistinëve. Ai jetoi në shekullin VIII para Krishtit dhe paratha mbretërinë e Jerovoamit (788-748 para Krishtit) nën të cilën do të ndodhte restaurimi i mbretërisë së Izraelit në kufijtë e tij të vjetër.
Zoti e urdhëroi të shkojë në Ninevi të predikojë shkatërrimin e ardhshëm, në rast se banorët nuk pendoheshin. I kapur nga frika, Jonai kërkoi të largohej nga Zoti, dhe vendosi të ikë nga Joppa për në Tarsis, në Spanjë. Por Perëndia, që është kudo i pranishëm dhe i mbush të gjitha, dërgoi një stuhi të fortë, saqë anija ku ai po udhëtonte rrezikonte të mbytej. Marinarët,pasi mësuan se Jonai ishte shkaku i stuhisë, e hodhën në det, që u qetësua menjëherë. Në çastin kur Jonai ra në ujë, ai u gëlltit nga një peshk i madh. Qëndroi tri ditë e tri net në barkun e atij peshku, si profeci e qëndrimit të Krishtit në Hadh, pas vdekjes trupore.
Tri ditë më vonë, peshku e hodhi në breg Jonain me urdhër të Perëndisë, si shenjë e ngjalljes së Krishtit. Jonai u nis për në Ninevi dhe për tri ditë e përshkoi qytetin duke predikuar. Për habi të tij, banorët e qytetit u penduan të gjithë, shpallën agjërim të përgjithshëm, madje edhe kafshët, dhe Perëndia e zbuti zemërimin e Tij dhe nuk i dënoi. Jonait, në vend që të gëzohej për mëshirën hyjnore, i erdhi keq se kishte profetizuar shkatërrimin e qytetit dhe kjo gjë nuk kishte ndodhur. Prandaj iku jashtë qytetit dhe ndërtoi një kasolle të vogël. Perëndia bëri të mbijë një bimë urthi për t’i bërë hije Jonait dhe t’i lehtësonte vapën. Por në perëndim të ditës tjetër një krimb e sulmoi bimën dhe ajo u tha. I dërrmuar nga vapa e dielli i fortë dhe nga një erë përvëluese, profeti kërkoi të vdesë. Perëndia iu përgjigj se, ai u hidhërua për pemën, që mbin sot dhe nesër thahet, Perëndia ka të drejtë akoma më të madhe të ketë mëshirë për atë qytet, ku jetonin mbi 20.000 banorë.
Në këtë mënyrë Zoti i tregoi Jonait dhe të gjithë brezave se preferon mëshirën hyjnore në vend të drejtësisë dhe në çdo kohë Ai qëndron në pritje të pendimit të mëkatarëve, që të kenë jetë dhe jo të vdesin.