– Apostulli – 2 Korinthianëve 7:1-10.

 

Duke pasur pra, o të dashur, këto premtime, le të pastrojmë veten tonë nga çdo ndyrësi të mishit e të shpirtit, duke punuar shenjtëri me frikë Perëndie.

Na bëni vend; askujt s’i bëmë keq; asnjeri nuk prishëm, nga askush nuk përfituam. Nuk e them këtë për t’ju dënuar; sepse ju thashë që më parë, se jeni në zemrat tona, aq sa të vdesim bashkë e të rrojmë bashkë. I shumtë është guximi im tek ju, e shumtë mburrja ime për ju; jam plot me ngushëllim, ndjej gëzim shumë të madh në gjithë shtrëngimin tonë.

Sepse si erdhëm në Maqedoni, trupi ynë nuk pati fare prehje, po gjendeshim në shtrëngime në çdo gjë; përjashta luftëra, përbrenda frikëra. Po Perëndia që ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titos. Edhe jo vetëm me ardhjen e tij, po edhe me ngushëllimin që u ngushëllua tek ju, duke na treguar për mallin tuaj të madh, ngashërimin tuaj, zellin tuaj për mua; aq sa u gëzova tepër. Sepse, ndonëse ju hidhërova me letrën, nuk pendohem, ndonëse më vinte keq; sepse shoh se ajo letër, megjithëse për pak kohë, ju hidhëroi.

Tani gëzohem, jo se u hidhëruat, por se u hidhëruat për pendim; sepse u hidhëruat sipas udhës së Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm prej nesh. Sepse hidhërimi sipas udhës së Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin nuk pendohet njeriu; por hidhërimi i botës sjell vdekje.