Rruga e Autoqefalisë së Kishës sonë ka kaluar mes vështirësish, por ka qenë relativisht e shpejtë. Një përpjekje e parë ishte Kongresi i Beratit, që kremton 90-vjetorin këtë shtator, për t’u finalizuar me Tomosin Patriarkal që do ta njihte Autoqefalinë 15 vjet me vonë, më 1937. Ajo e nisi rrugëtimin pas pavarësisë, por filloi të marrë forma konkrete pas stabilizimit të saj, me Kongresin e Lushnjës, më 1920.
Më 10 shtator 1922, Kongresi u mblodh në sallën e shkollës së Mangalemit, ditën e hënë më 11 shtator 1922. Në të nuk mori pjesë asnjë episkop, gjë që i bëri të pavlefshme nga ana kanonike ortho-dhokse punimet e tij.
Ndaj, Kongresi i Beratit kërkoi edhe ndihmën e qeverisë që t’i bëhej kërkesë Patriarkanës Ekumenike për njohjen e pavarësisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe për emërimin e dy mitropolitëve.
Në ditën e tretë të punimeve Kongresi votoi edhe një statut. Autoriteti më i lartë do të ishte Këshilli i Lartë, i cili në fakt nuk kishte asnjë fuqi kanonike, pasi nuk kishte në gjirin e tij asnjë episkop. Kryetar u zgjodh prifti nga Pogradeci, atë Vasil Marku, i cili kishte ardhur në Shqipëri nga SHBA në vitin 1921, së bashku me atë Agathangjel Çamçe.
Në Kongresin e Beratit u diskutua edhe për një rregullore të Kishës, ku u bënë propozime të ndryshme që kishin të bënin me të ardhurat e kishave dhe të manastireve, duke zgjedhur një komision për kontrollin e tyre. Në statut thuhej se gjuha zyrtare e Kishës do të ishte shqipja, por derisa të përktheheshin dhe botoheshin librat liturgjikë do vazhdonte të përdorej greqishtja. U vendos që si qendër e Kishës të ishte qyteti i Korçës. Kongresi i mbylli punimet më 19 shtator 1922.
Patriarkana Ekumenike e informuar për zhvillimet që po ndodhnin në Shqipëri vendosi të dërgonte Mitropolitin e Meletit, Jerotheun, me origjinë nga Përmeti, si ekzark patriarkal, i cili mbërriti në Korçë më 27 nëntor 1922. Hirësia e Tij Jerotheu i dërgoi Patriarkanës Ekumenike raportin përkatës dhe i kërkoi dërgimin e një delegacioni nga Kisha Shqiptare për t‘u sqaruar. Delegacioni u nis në mars 1922 dhe kryesohej nga atë Vasil Marku, i cili i paraqiti Patriarkanës vendimet e Kongresit të Beratit. Por delegacioni u kthye në Shqipëri pa rënë dakord. Dy muaj pas kthimit të delegacionit, në Shqipëri erdhi edhe një tjetër ekzark nga Patriarkana Ekumenike, Mitropoliti Kristofor Kisi, nga Berati, për t’i shërbyer zgjidhjes së problemeve të krijuara, por pa arritur rezultatet e shpresuara.
Përfundimisht, marrëveshja me Patriarkanën Ekumenike u arrit në vitin 1937 dhe pas kësaj u dha Tomosi i Autoqfalisë dhe Imzot Kristofori u zgjodh Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës sonë.
Marrë nga gazeta “Ngjallja”