Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë iu përgjigj që në çastet e para nevojave të zonave që u goditën nga përmbytjet. Vetë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, u bëri thirrje besimtarëve të dhuronin sa të kishin mundësi, duke dhënë shembullin e tij personal.
    Ditën e dielë, pas Liturgjisë Hyjnore, në kishat kryesore orthodhokse iu bë thirrje besimtarëve të moshave dhe shtresave të ndryshme që të solidarizoheshin me vëllezërit e tyre të goditur nga kjo fatkeqësi, duke dhënë  kontribute personale në para. Kështu u mblodhën 613 520 mijë lekë të reja, ku vetëm në qytetin e Tiranës u mblodhën rreth 170 mijë lekë.
    Në datën 3 shkurt u bë dorëzimi kësaj ndihme, në llogarinë bankare të hapur për këtë qëllim. Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni, i shoqëruar nga klerikët atë Aleksandër Petani dhe atë Nikolla Petani, u takuan në Bashkinë e Shkodrës me Kryetarin, z. Lorenc Luka, i cili shprehu admirimin e tij për këtë solidaritet të treguar nga besimtarët orthodhoksë, i cili ka një vlerë të madhe. 
    Kryetari i Bashkisë i njohu ata me gjendjen në këtë zonë. Ai u shpreh se kjo situatë katastrofike kaloi pa dëme në njerëz dhe se të gjithë personat e shpërngulur nga përmbytjet tashmë janë kthyer nëpër banesat e tyre dhe situata po shkon drejt normalizimit. 
    Kjo ishte ndihma e dytë e dhuruar prej Kishës Orthodhokse për zonën e përmbytur të Shkodrës brenda një kohe të shkurtër. Ndihmesa e parë ishte ajo e dhënë që në çastet e para në Shtabin e Emergjencës së këtij qyteti, me 5 tonë ndihma, të cilat përmbanin ushqime, veshmbathje, shtresa, etj.
4 shkurt 2010
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë