Me madhështi të veçantë u përjetuan në Berat festat e fundvitit dhe të fillimvitit. Kjo periudhë njihet në kalendarin kishtar si 12-ditëshi dhe dallohet nga motivet shumë festive që përmban sepse në këto ditë kremtojmë Lindjen trupore të Perëndinjeriut Zotit Krisht (25 dhjetor), Rrethprerjen e Tij (1 janar), si dhe Pagëzimin e Shenjtë që Shpëtimtari ynë mori nga duart e Shën Joan Pagëzorit (6 janar).
Këto festa sivjet në Berat u bënë edhe më të bukura sepse pas më shumë se 40 vitesh besimtarët orthodhoksë të Beratit patën mundësinë ti kryejnë ato në Kishën Katedrale të Shën Dhimitrit, e cila ngrihet madhështore në qendër të qytetit.
Janë të shumta traditat në këto 12 ditë, gatimet, këngët, zbukurimet, shërbesat e shenjta që i veshin këto ditë me një hir të veçantë.
Të parët që ndiejnë madhështinë dhe bukurinë e Krishtlindjeve janë pikërisht fëmijët të cilët çdo mbasdite të 23 dhjetorit ndahen në grupe të vogla dhe shpallin lajmin e gëzueshëm të lindjes së Shpëtimtarit në të gjitha familjet e qytetit.
Në datën 24 dhjetor besimtarët orthodhoksë patën mundësinë të merrnin pjesë në Orët e Mëdha të Krishtlindjeve si dhe në Meshën e Shën Vasilit duke përjetuar hapat e para të Lindjes së Foshnjës Hyjnore.
Arriti kulmin ky përjetim në datën 25 dhjetor me shërbesat e shenjta të cilat filluan që në orët e para të mëngjesit. Në mesazhin e Tij drejtuar Klerit dhe gjithë besimtarëve të Mitropolisë së Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati theksoi:
“Dielli natyror lind, si një dhuratë dhe bekim nga më i Larti ‘tek të drejtët dhe tek të padrejtët’”. Nuk përjashton asnjë njeri nga bamirësia e rrezatimit të tij. Domethënë ushqen edhe farërat e mira edhe barërat e egra, dhe ndarja fizike bëhet në kohën e të korrave. Kështu edhe Dielli mendor i drejtësisë, Krishti, lind dashurinë e Tij hyjnore dhe bekimin në të gjithë njerëzimin me qetësi të pazhurmshme dhe dhimbsuri”
Këto festa vazhduan po kaq festive dhe në ditët vijuese. Një festë e vërtetë ishte dita e parë e vitit, ditë në të cilën besimtarët orthodhoksë kremtojnë Rrethprerjen e Zotit Krisht si dhe Shën Vasilin e Madh. Të shumtë në numër ishin besimtarët të cilët u mblodhën në Katedralen e Shën Dhimitrit për të përkujtuar këto ngjarje si edhe për t’iu lutur Perëndisë për një vit më të bekuar dhe të lumtur.
Imzot Ignati në predikimin e Tij theksoi:
“Me mall dhe dëshirë të madhe çdo njeri pret ditën e parë të vitit. Çdo vit i ri është një bekim dhe kredi nga Perëndia. Viti i ri na udhëheq dhe na ngarkon arritje të reja, fitore të reja, mendime të reja, jetë të re, zemër të re, triumfe te reja të besës sonë.
Përjetësia mbështetet dhe sigurohet nga përdorimi i saktë i kohës. Çdo moment i kohës na sjell mesazhe dhe zbulesa. Çdo minutë e kohës na fton të punojmë dhe të përpiqemi që të përhapim mesazhin e Zotit Krisht në tokë.
Nuk ekziston moment pa detyrë. Konvencionaliteti, oportuniteti, dëfrimet materiale, përdorimi i paqëllimtë dhe me mendjelehtësi i kohës, janë jashtë përgjegjësisë dhe jetës së krishterë.
Dita e parë e vitit është një stacion nisjeje ku mund të masim thellësinë e shpirtit tonë, të krahasojmë jetën tonë, të peshojmë mendimet tona, të fillojmë synimet tona.”
Ditët festive të 12-ditëshit u mbyllën me një nga të kremtet më të mëdha të vitit liturgjikal dhe pikërisht me të kremten e Epifanisë, Shfaqjes së ekonomisë Hyjnore, Pagëzimit të Shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit. Një nga veçantitë e kësaj feste është shenjtërimi i të gjitha ujërave dhe për të demonstruar këtë shenjtërimin sipas një tradite të hershme Kryqi i Shenjtë hidhet diku në një vend ku ka ujë.
Në Berat kjo e kremte është bërë një nga festat më popullore të qytetit ndoshta edhe për shkak të veçorive gjeografike qe e dallojnë qytetin tonë.
Kjo ditë nis me Shenjtërimin e lumit në orën 5 të mëngjesit, vazhdon më pas me shërbesat e shenjta të Mëngjesores, Liturgjisë Hyjnore, Bekimit të Madh të Ujit dhe mbyllet me ceremoninë e hedhjes së Kryqit nga ura e Goricës në lumin Osum.
Këto shërbesa të Shenjta u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit Imzot Ignati i cili në predikimin e Tij theksoi:
“Festojmë sot Epifaninë e shenjtë të Zotit tonë Jisu Krisht. Perëndia pasi u vesh me Adamin e vjetër, domethënë kur u trupëzua, dhe zbatoi të gjitha urdhrat e Ligjit të Moisiut, erdhi në moshën 30-vjeçare në Jordan tek Joan Pagëzori që të pagëzohet prej tij. Krishti i panjollshëm, me pagëzimin e tij, shenjtëroi natyrën e ujërave dhe varrosi në lumin e Jordanit mëkatet tona.
Përse pagëzohet si mëkatar i pamëkatshmi? Për të dhënë tek ne tipin e pagëzimit. Për të bërë Ai fillimin. Të na tregojë rrugën e pastrimit moral të shpirtrave tanë, të na hapë rrugën e rilindjes sonë shpirtërore dhe të adoptimit tonë hyjnor. Pagëzohet, pa pasur Ai nevojë, për të na treguar nevojën që kemi për t’u pagëzuar.”
Për tu veçuar në këtë ditë ishte procesioni i gjatë që përshkoi Imzot Ignati dhe klerikët e tjerë nga Katedralja e Shën Dhimitrit për tek ura e vjetër e Goricës. Ishin të shumtë besimtarët që ndoqën procesionin të cilët u bashkuan me mijëra të tjerë të cilët kishin zënë vendet në të gjitha krahët e urës së Goricës dhe prisnin hedhjen e Kryqit të Shenjtë. Edhe këtë vit nuk munguan djemtë e qytetit të cilët sfiduan ujërat e ftohta të Osumit dhe ishte djali 17 vjeçar Irakli Mëroli i cili e kapi kryqin. Sipas traditës të gjithë djemtë që ishin në lum shkuan më pas në shtëpitë e besimtarëve beratas duke psalur përlëshoren e Epifanisë dhe duke ndarë me ta bekimin e Kryqit të Shenjtë.
Joan Qako