Festat e fundvitit i bashkuan të rinjtë orthodhoksë në Festivalin tradicional, që u zhvillua për të dhjetin vit radhazi. Shfaqja u dha më 27 dhjetor, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet.

    “…Shumëkush mban mend herën e parë dhe sot kujton me mall atë ditë kur për herë të parë u hap festivali ynë, që tashmë është bërë një eveniment i shumëpritur nga ne të rinjtë, por edhe brezat e tjerë që ndodhen gjithmonë pranë nesh”, – thanë në fillim të këtij evenimenti dy prezantuesit, Maria Taçi dhe Anesti Kepi.

    Ata përcollën falënderimedhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e tij në vite.

    Emrat janë të shumtë, por midis tyre veçohet ideatori dhe mbështetësi kryesor, Kryepiskopi Anastas, i cili ka dhënë gjithë energjitë e tij për të ndërtuar, jo vetëm Kishën si objekt, por edhe Kishën në zemrat e të rinjve. Merrnin pjesë të rinj e të reja orthodhoksë, prindër dhe klerikë.

    Festivali i rinisë është punë e përbashkët e të rinjve, që krijon atmosferë bashkëpunimi dhe vëllazërimi, e shprehur në harmonizimin e prezantimit të vlerave të krishtera dhe atyre popullore.

    12 gruperinore (pas seleksionimit në festivalet e dioqezave të tyre), kënduan këngë të krishtera si dhe këngë dhe valle tradicionale të trevave që përfaqësonin.  E veçanta e këtij festivali ishte pjesëmarrja e grupeve të reja rinore, një pjesë e të cilave vinin për herë të parë.

     Festivalin e përshëndetën me këngët dhe valle festive edhe disa grupe të tjera rinore dhe fëmijësh orthodhoksë. Pas paraqitjes para publikut të të gjithë grupeve ishte rezervuar një surprizë. Prindërit e klerikut, Arkimandrit Kozma Priftit, kënduan dy këngë kushtuar Kryepiskopit Anastas, duke përcjellë shumë emocione tek të pranishmit.  Në fund të festivalit e mori fjalën Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili ndër të tjera tha se në këtë festival nuk kishte vetëm spektatorë, por të gjithë ishin pjesëmarrës.

    “E njëjta gjë ndodh edhe në jetën e Kishës. Kur lexojmë Ungjillin, shikojmë me çfarë realizmi janë përshkruar vështirësitë që kaloi Zoti Krisht. Ai është mbreti i paqes, por u ballafaqua me mëri dhe armiqësi. Ishin shumë ata që e panë si të huaj dhe të rrezikshëm. Ai përjetoi urrejtje edhe pse nuk e meritonte. Ky është paralajmërim për ne, prandaj duhet të përgatitemi për vështirësitë që na presin. Ju jeni në një moshë të rëndësishme dhe realiteti është i komplikuar. Kisha nuk jep thjesht një mesazh të bukur, por është Krishti që erdhi për ne. Për këtë arsye qetësohuni në këtë atmosferë.

    Gëzimi dhe shpresa jonë nuk janë të papërcaktuara. Nuk jemi indiferentë ndaj realitetit. Gëzimi ynë mbizotëron në vështirësitë e përditshme. Dashuria jonë mbështetet në Atë që është dashuria. Dua t’ju uroj që këtë gëzim ta keni brenda vetes këtë vit që afron. Ky gëzim e shikon jetën në sy dhe ka fuqinë për ta transformuar atë. Roli ynë është që ta transformojmë këtë jetë, nga një shoqëri indiferente dhe e ftohtë në një shoqëri gëzimi. Ju uroj frytin e Shpirtit të Shenjtë: dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besim, butësi dhe vetëpërmbajtje.”

    

    Në fund, juria e festivalit ndau çmimet për grupet fituese. Sivjet u ndanë tri çmime për këngët, tri për vallet dhe një çmim inkurajues. Lushnja dhe Prespa u nderuan me çmime të para respektivisht për këngët dhe vallet, ndërsa çmimi inkurajues iu dha korit të Liceut të ri kishtar “Kryqi i Nderuar”, Sukth, Durrës.

    

Isidor Koti