– Përgjigje e disa klerikëve dhe besimtarëve beratas ndaj shkrimeve të botuara në media, ku hidhet baltë mbi shenjtorët dhe drejtuesit e Kishës –

 

    Është për të ardhur keq që në prag të festave të mëdha të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, disa autorë të mediave si dhe disa përfaqësues të “shoqatave” të ndryshme hedhin baltë mbi shenjtorët dhe drejtuesit e Kishës.

    Kështu po ndodh edhe këto ditë kur pritet të festohet e kremtja e martirizimit të shën Kozmait në Kolkondas të Fierit. U referohemi kryesisht shkrimeve të botuara rishtazi në media, të cilat, konkretisht për shën Kozmain shprehen negativisht dhe me fjalët më ofenduese.

    1.  Kemi vënë re që të gjithë keqdashësit përdorin për shën Kozmain epitetin shenjtor grek apo i përket kishës greke dhe jo asaj shqiptare.

    Shenjtorët kanë dimension universal. Ashtu si në vendin tonë kremtohen me madhështi shën Joan Pagëzori, shën Joan Vladimiri, shën Nikolla, shën Gjergji, shën Naumi etj, të cilët nuk janë shenjtor vendas, por kremtohen gjerësisht mes nesh, kështu edhe shën Joan Kukuzeli nga Durrësi, një nga themeluesit e muzikës bizantine (kishtare), shën Nikodhimi i Beratit, shën Asti i Durrësit, shën Lefteri i Vlorës, etj. kremtohen gjerësisht në gjithë Kishat Orthodhokse në mbarë botën. Shën Kozmai, si një prej tyre, shkruan me dorën e tij: “Vendlindja ime e rreme tokësore dhe e kotë është nga rrethi i Apokurit”, pjesë e krahinës së Etolisë, në të cilin ai u lind. Kështu, të gjithë shenjtorët kanë një gjë të përbashkët që i bën ata universal, të përbashkët kanë atdheun e tyre të vërtetë, Mbretërinë e Qiejve.

    2.  Gjithashtu këto ditë kemi lexuar shpifje të ndryshme si ajo e studiuesit Moikom Zeqo: “Në tërë dokumentet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ekziston ndonjë fakt apo dëshmi që Kozmai të jetë kanonizuar edhe si një shenjtor shqiptar. Kozmai nuk ka qenë i dalluar veçmas dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që nga ftillëzimi i saj institucional, nuk e ka theksuar asnjëherë Kozmain si një njeri që i ka shërbyer edhe interesave kombëtare, por edhe fetare të Shqipërisë.”

    Shën Kozmai është nderuar si shenjtor në Shqipëri, fill pas martirizimit të tij. E meqenëse z. Zeqo kërkon fakte, Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisi, në vitin 1931 thekson qartë rolin dhe kontributin e shën Kozmait për Shqipërinë: “Në mbarimin e shekullit të tetëmbëdhjetë krishterimi i Shqipërisë kishte arritur në një rrezik shumë të madh. Nga padija e thellë e popullit, nga shtypjet e qeveritarëve të asaj kohe, nga tmerri që mbretëronte nëpër të krishterët, jeta dhe pasuria e të cilëve varesh prej mëshirës së më të fortëve, renegacionet, mohimet e besës, ishin gjëra të shpeshta dhe të zakonshme. Shumë herë ndodhte që vise të tëra ndërronin fe për shkaqe pa rëndësi.

    Në këtë gjendje ardhja e shën Kozmait shënoi një stacion tepër të rëndësishëm për fatin e krishterimit në Shqipëri.

    Po si një apostull i ri, i mbushur me entuziazmin e Frymës së Shenjtë dhe me zemërnxehtësinë e profetëve, ky orator i shkëlqyer i Ungjillit, u përpoq me fjalimet e tij të larta dhe të ëmbla, t’u japë zemër dhe kurajë të krishterëve të terrorizuar të atëhershëm dhe t’i përmbante në traditat fetare atnore. Mund të themi sigurisht se, edhe ato teproja të pakta të krishterimit që mbeten sot në Shqipërinë e jugut, u detyrohen këtyre veprimeve.

    Merita më e madhe e Shenjtit dhe lartësia e tij tregohen nga kujdesia e veçantë që shfaqte për kulturën e popullit. Kur vizitonte një katund apo qytet për të predikuar, mendimi i parë i tij ishte të hapte shkolla, në të cilat, djemtë e të krishterëve merrnin edukatën darovisht”. (Jetëshkrimi dhe Akoluthia e Dëshmoit të Ri dhe Isapostollit Shën Kozma, Kristofor Kisi, Korcë 1931, fq. 3).

    Pas Imzot Kristofor Kisit, është Imzot Theofan Noli që bën në vitin 1947 një përmbledhje të shërbesës të përkthyer nga Kristofor Kisi. Ai shkruan: “Le ta nderojmë o besnik, dhe le ta kurorëzojmë me lule shën Kozmanë, bukurinë e Dëshmorëve, mburrjen e murgjërve, predikonjësin e besës, shembullin e priftërinjve, imituesin e mbaruar të Apostujve, se bën çudira, dhe na dhuron shërime. Le ta përshëndoshim pra, dhe le t’i thërresim: Gëzohu o ligjëronjës i besës, o kollonë e patronditur e Kishës. Ruaje Kishën në paqe me ndërmjetime, se ke kurajë përpara Shpëtimtarit, se derdhe gjakun si një Apostull i tij.” (Kremtore e Kishës Orthodhokse, përkthyer nga F. S. Noli, Boston 1947).

    Ashtu si imzot Kristofor Kisi, edhe Imzot Theofan Noli, e konsideron shën Kozmain një shenjtor të madh me shumë vlera dhe virtyte në misionin e tij të shenjtë. Nëse për këta dy klerikë, intelektual dhe atdhetar, shën Kozmai është një shenjtor që i ka shërbyer dhe ka dhënë një kontribut të paçmuar për të krishterët e Shqipërisë, atëherë  përse këto gjoja “shoqata atdhetare për identitet e bashkim kombëtar” që kanë si shembull këta atdhetarë të shquar, keqinterpretojnë bindjet e tyre? Përse këta intelektual jo të krishterë përzihen në çështjet e besimit të krishterë orthodhoks duke mos pasur fare njohuri, përbaltin shenjtorët të cilët populli, për shekuj me radhë, i kremton me shprestari?

    Shën Kozmai nuk i përket një kishe vendore. Ai është një shenjtor ekumenik dhe kremtohet në mbarë dhenë. Shumë kemi parë e dëgjuar këto ditë. Ata që e martirizuan 235 vite më parë vazhdojnë edhe sot të tërheqin litarin në grykën e tij. “Fali o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë…”!

 

Shënim: Ky artikull ju dërgua si përgjigje gazetës “Dita”, por ende nuk është botuar…

 

 
Atë Petraq Simsia
z. Ilia Zaka
Atë Kristaq Subashi
znj. Stela Qako
Atë Niko Lushi
z. Theoktist Postolli
Dhiakon Anastas Vrapi
znj. Eli Filipi
Dhiakon Joan Qako
z. Ilia Koçi