Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ndikimi i Anastas Janullatosit ka qënë shumë i madh. Si teolog i ri gjatë viteve 50-të ai kishte si qëllim rindezjen e shpirtit misionar të Kishës Orthodhokse. Tridhjetë vjetë më vonë, është e qartë që ai ia kishte arritur qëllimit të tij. Në të vërtetë misionet janë bërë pjesa kryesore e jetës së Orthodhoksisë në shekullin XX. Vetë Kryepiskopi ka thënë: “Ky është dhe kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbuloj kush është në të vërtetë. Eshtë një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qënë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik”.
Një përmbledhje e jetës së Kryepiskopit Anastas mund të shihet në dëshirën e tij për të punuar në katër fronte të reja.
Së pari, ai e drejtoi vëmendjen tek vet Kisha Orthodhokse, duke kërkuar të ringjallte dëshirën dhe ndërgjegjen misionare, që ka qenë pjesë e traditës së saj prej shekujsh.
Së dyti, ai kërkoi të jepte një ndihmesë prej akademiku në fushën e misiologjisë. Kryepiskopi Anastas ka shkruar 9 libra, 5 libra katekizmi dhe mbi 140 artikuj. Ai themeloi dhe botoi 2 revista të ndryshme misionare “Porefthentes” (Shkoni, 1960-1970), dhe “Panta ta ethni”, (Gjithë kombet, 1981-1992), dhe që nga viti 1981 ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe në botimin e Buletinit Ndërkombëtar për Kërkimin Misionar. Përveç kësaj, ai i është drejtuar sa e sa herë publikut në televizion, për t’i thënë atij të përqafojë Jisu Krishtin dhe Kishën e tij. Në vitin 1989, Shkolla Teologjike Orthodhokse “Kryqi i Nderuar”, në Brookline, Massachusetts, e nderoi duke i dhënë titullin “Doktor në Teologji”. Në vitin 1993 Kryepiskopi Anastas u zgjodh njëzëri anëtar korrespondent i Akademisë së Athinës, e cila është shoqëria më e lartë akademike në Greqi.
Së treti, ka qënë jeta e tij në Afrikën Lindore dhe në Shqipëri. Ai dëshironte të jetonte dhe të ndante përpjekjet misionare në vendet më të humbura të botës. Këtu ai shpresonte t’iu tregonte të gjithë njerëzve të botës pavarësisht nga origjina e tyre, se Perëndia i donte dhe kujdesej për ta.
Së fundi ka qenë në qarqet ekumenike. Nëpërmjet Këshillit Botëror të Kishave Kryepiskopi Anastas ka dhënë dëshmi për teologjinë e misionit orthodhoks dhe spiritualitetin në botën jo-orthodhokse. Ai punoi së bashku me të krishterë bashkëkohës për të përkufizuar misionin e shekullit XX dhe për të dëshmuar në mënyrë të suksesshme besimin dhe traditat.
Jeta e Kryepiskopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij. Gjatë shtatëdhjetë e dy viteve të jetës së tij ai është përpjekur të jetojë dhe të shpallë misterin e “një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”. Ai u përpoq të jetonte misionin e Kishës brenda këndvështrimit të duhur universal. “Misioni është një shprehje e rëndësishme e ndërgjegjes orthodhokse, një thirrje për të plotësuar me vepra vullnetin e Perëndisë në tokë dhe në qiell. Indiferenca ndaj misionarizmit është mohim i Orthodhoksisë”.
(Marrë nga libri: At Luka Veronis, Misionarë, murgj dhe martirë: Duke bërë dishepuj nga të gjitha kombet, (përkthyer në shqip), botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2003.
Titulli i origjinalit: fr.Luke Veronis, Missionaries, Monks and Martyrs: Making Disciples of All Nations, Light & Life Publishing Co., 1994.