Të Premten mbasdite, dt.21.12.2012, në amfiteatrin e madh të Qendrës Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u shfaq dokumentari i piktorëve-mozaicist Josif dhe Liljana Droboniku, të cilët kanë realizuar mozaikun në kupolën e kësaj katedraleje. 

                                                                          *  *  *
    Sapo mbaron së projektuari në ekran dokumentari “Mozaiku më i madh i Ballkanit” e ndjen se je përfshirë nga emocione të mrekullueshme që t’i ka krijuar realizimi i një vepre dinjitoze.
     Ai është një film që i përket njërit prej nesh, në rrugëtimin e viteve të brishtë të demokracisë. Në rastin konkret është historia e artistit që përjetoi përthyerjen e madhe nga monizmi në demokraci duke dalë fitimtar. Ajo që kishte shfaqur dikur çifti i artistëve Droboniku ishte vetëm ajsbergu… Pjesa më e madhe dhe e pazbuluar do vinte më vonë, pikërisht në vitet e demokracisë, kur ata pa u diktuar nga askush, do të bënin atë gjë, që mori vlera të  artit të vërtetë, që do u shërbejë brez pas brezi njerëzve, në plotësimin e nevojave të tyre shpirtërore. Filmi dokumentar fillon me Katedralen Ortodokse në qendër të Tiranës, që i shtohet si një vlerë e vërtetë arkitekturore konstruktit të ndërtesave në qendër të kryeqytetit dhe kupola e kësaj katedrale të famshme mban si të mbërthyer në qiell, veprën madhore të piktorëve mozaicistë monumentale, Josif e Liljana Droboniku, që na e shfaqin Zotin e plotfuqishëm, me një realizim dinjitoz artistik.
    Liljanën e kam njohur që në kopsht ndërsa Josifin e kam njohur kur punonim bashkë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Ndjeva krenari për punën e mrekullueshme krijuese të këtij çifti në emigracion, kur kishin përballuar një punë të madhe voluminoze e aq bukur të realizuar artistikisht në pikturimin e dhjetëra kishave në Kalabri. Spektatori e prek me dorë suksesin e madh të këtij çifti artistësh me pikturime në teknikën e ikonës dhe të afreskut bizantin me një talent që sjell pranë mjeshtërinë e të madhit piktor të Mesjetës, Onufri. 
    Dokumentari sjell me emocion jetën e tyre me Golgothanë e përpjekjeve të para të mundimshme… Të mbetet në mendje ai fakt prekës biografik, kur familja duke kaluar në Itali në mes të dimrit të egër, nuk i hapej as dhe një portë hoteli… Po ja, diku pranë njeriut të mirë është engjëlli shpëtimtar. Një familje italiane në veri i hapi derën e shtëpisë, të mallëngjyer veçanërisht nga dy vajzat e vogla që rrinin të tronditura mes dëborës… Ndërsa në një çast tjetër kur çifti i lodhur e kishte vendosur për kthim në atdhe, rrugës në tren marrin një adresë të një prifti në Kalabri, që mund t’i ndihmonte, duke punuar në profesionin e tyre… Kështu ndodhi çudia, çifti Droboniku me artin e tyre u bënë aq të dobishëm në Kalabri sa zbukuruan jetën e besimtarëve me pikturimin e shumë kishave në vendin e gjakut të shprishur… Atëherë fama e tyre mori dhenë dhe ra në vesh edhe të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Ortodoks të Shqipërisë, z. Anastas Janullatosi, i cili i besoi çiftit të artistëve shqiptarë një punë të madhe, si autorë të mozaikut më të madh të Ballkanit. Katedralja e objektit më të madh të kultit për ortodoksët në Shqipëri, në kupolën e saj do të mbante si punë artistike mozaikun gjigant të punuar nga çifti Droboniku, që do të vinin nga Kalabria në Tiranë. Në këtë punë do përfshiheshin edhe 2 vajzat që tashmë janë bërë krah i prindërve të mirë, si dhe një ansambël i vogël ekzekutuesish, që do punonin plot pasion e përkushtim.
    Dhe ne ndjekim me interes kuadër pas kuadri si ngrihet Katedralja e madhe e ortodoksëve me një përkujdesje të vazhdueshme prindërore të Fortlumturisë së Tij, z. Anastas Janullatos, që mbas ngritjes së rrjetit të plotë të kishave ortodokse në të gjithë Shqipërinë, ku ato ishin shkatërruar, arriti këtë vepër kulmore në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Në një nga intervistat e Tij në film ai thotë mes të tjerave se tre janë çelësi i suksesit të një vepre të madhe: dashuria, bukuria dhe e vërteta!
Grupi realizues i këtij dokumentari me skenar të Ylli Drishtit, dirigjohet me mjeshtëri nga regjisori i njohur, Artisti i Merituar, Ylli Pepo. Operator është Fatjon Gonxhi, Xhemal Reçi, montazhi Vangjush Furxhi, Gjergji Pano dhe kompozitori i talentuari Delar Turku deri tek folësit e ndryshëm por sidomos tregimtari tërheqës Xhelil Aliu, i japin filmit të gjithë së bashku, firmën e një vepre me vlera të veçanta  emocionale. Dhe nuk është e rastit që regjisori e gjen të arsyeshme të bëj përqasje të Katedrales madhështore të Tiranës me vepra me vlera të rralla arkitektonike në Europë, si në Venezia, Paris e Londër, për t’u përqendruar më shumë deri tek Katedralja e Shën Sofisë në Stamboll! Kjo është një e vërtetë e bukur, e prekshme me kuadro të rrëmbyera në çaste të ndryshme, në qiell me re, në muzg apo në agim. Kambana e kishës madhështore e rrethuar me drita tingëllon ëmbël duke i thirrur besimtarët për lutje ndaj Zotit. 
    Intervistat e filmit plotësojnë bukur jo vetëm informacionin e bukur për jetën e çiftit të artistëve Dobroniku, por edhe për vetë historinë unikale të ndërtimit të Katedrales së shenjtë.
    Filmi sjell shumë mesazhe të rëndësishme. Regjisori Ylli Pepo, duke qenë një erudit i gjuhës së filmit kësaj radhe ka përdorur edhe një gjetje të bukur figurative emocionale… Ne e shohim Tiranën nën vellon e një ngjyre të kaltër, si një dritë qiellore… Edhe vetë mozaiku në kupolën madhështore të Katedrales është qëndisur në një sfond të kaltër… I PLOTFUQISHMI ZOT I QIELLIT DHE I TOKES vjen me kulminacione të gjuhës shprehëse artistike!
    Filmi “Mozaiku më i madh i Ballkanit” është një dhuratë e bukur në prag të festës së madhe popullore të Krishtlindjeve. Të festojmë të gjithë së bashku të gëzuar, me respekt e dashuri për gjithë besimet e tjera që janë në një unitet të tillë në Shqipëri, si në asnjë vend të botës.
    Duke parë këtë film e kupton më mirë se vetëm nga dashuria për Zotin e për njeri-tjetrin, vjen bukuria e jetës njerëzore. Gjithmonë gëzuar!              
 Angjelina Papalilo – kineaste