Vetëm pak kohë kanë kaluar nga nisja e restaurimit të kishave në Voskopojë dhe ato kanë rënë pre e grabitjes, një ritual ky i vazhdueshëm dhe që mbetet pa autor. Persona që gjithmonë mbeten të paindetifikuar kanë grabitur ditët e fundit të majit dy kisha. Është grabitur kisha e Shën Marisë, ku është vjedhur kambana 40-vjeçare dhe marrja e saj ka qenë e lehtë, pasi janë përdorur skelat e restaurimit. Gjithashtu, në kishën e Shën Thanasit janë grabitur disa ikona me vlerë.
Si një precedent i njohur prej vitesh, janë tri çudi në spikatjen e këtij fenomeni. Së pari, prej vitesh ende nuk ka asnjë të dyshuar mbi këto krime të përsëritura në shumë kisha orthodhokse të vendit; së dyti, nuk ka asnjë deklaratë nga Drejtoria e Monumenteve; dhe së fundi, neglizhenca e medias për të problematizuar grabitjet e kishave në vendin tonë mbetet një çështje që vlen të fokusohemi në këtë artikull.
Mbase kjo neglizhencë do justifikohet me axhendën e ngarkuar të ngjarjeve politike, ekonomike, sociale, etj, por nuk ka asnjë arsye justifikuese që të mungojë pasqyrimi në rubrikën e kronikës së zezë, apo në debatet televizive, koha kushtuar grabitjes së kishave. Nuk është thjesht një krim, apo një vjedhje ordinere që të shqetëson hera-herës, por një goditje ndaj vlerave, ndaj trashëgimisë kulturore dhe mbi të gjitha ndaj një komuniteti fetar. Media publike dhe private e ka për detyrë profesionale dhe qytetare të “zgjojë nga gjumi” institucionet përgjegjëse, por edhe të informojë publikun, sepse në të shumtën e herëve, grabitjet e këtyre kishave konsiderohen si një vjedhje e zakonshme xhepi në autobus. Heshtja e (pa) autorizuar e institucioneve përgjegjëse në zbardhjen dhe zgjidhjen e problemit është fatkeqësi që i bashkangjitet autorëve të paidentifikuar, të cilët mbeten ende enigmatikë, ashtu sikurse edhe neglizhenca e gazetarëve në theksimin e këtij problemi i kalon kufijtë e neglizhencës, duke shkuar deri në absurd.
Nga Isidor Koti