Për sa i përket artit, mendojmë se është më mirë vështrimi i tij sipas periudhave kulturore. 
   Dallojmë këto periudha:
    1) Periudha paleokristiane (shek. IV – mesi i shek. VIII) 
    2) Periudha bizantine (mesi i shek. VIII – XV) 
    3) Periudha pasbizantine dhe e sundimit turk (1501 – 1912).  

 

    Arkitektura 

    1) Periudha paleokristiane 

Pagëzimore në formë rrethore.
Periudha paleokristiane.
Butrint, Sarandë.

   Gërmimet arkeologjike të dekadave të fundit, nxorën në dritë kryesisht monumente që i përkasin shek. V VI, si p.sh. bazilika e gjetur në Tepë, jashtë Elbasanit, që mund të jetë e shek. IV. Tipat më të njohur të arkitekturës kishtare të kësaj periudhe janë bazilikat trenefëshe. 
   Nefet anësore ndahen me kolona (si në Arapaj të Durrësit, Bylis, Amantia) ose kolona me seksion katrorë (në Elbasan, Butrint), ose një kombinim i të dyjave (Sarandë); disa prej tyre janë me 3 absida (harqe pranë altarit) (në Ballsh, Lin). Bazilika njënefëshe u gjetën në Antigone, Apolloni, Durrës dhe Sarandë. Gjithashtu ruhen edhe pagëzimore paleokristiane (rrethore, katrore, ose tetëkëndëshe), p.sh. në Finiq, Lin (bregun jugor të Ohrit) dhe më e bukura dhe më e kompletuara në Butrint. 

   2) Periudha bizantine

   Kishat e shek. X paraqesin forma të reja në ndërtimet kishtare. Në disa vende ndërtohen kisha njënefëshe (si e profetit Ilia në Bual të Përmetit, e së Tërëshenjtës Mari në Çerskë të Leskovikut, e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë), në të tjera vazhdon tradita e bazilikës (si e Shën Stefanit në Dhërmi etj.). Në fillimet e periudhës pasbizantine ruhet ende tipi i veçantë i bazilikës së Shën Nikollës në Perondi të Beratit.
   Kryesisht në këtë periudhë përurohet një tip i ri kishe në formë kryqi të brendashkruar me kupolë (në Peshkëpinë e Sipërme, Kosinë). Shumë kujdes i kushtohet edhe pjesës së jashtme të kishës (kupolë, dekoracione në kornizat e dritareve, kombinime të tullës dhe gurit). Një shembull karakteristik është kisha e Hyjlindëses në Labovë të Kryqit e shek. X, sipas disa të tjerëve e shek. XIII, me vlerë të veçantë artistike. Në shek. XIII e XIV shfaqet një lulëzim i ri arkitektonik. Në zonën e Shkodrës gjatë shek. XIII shihet një ndikim i arkitekturës perëndimore (si në atë të Shën Sergjit e Bakut pranë lumit Buna, atë të Vaut të Dejës).
   Shpesh herë gjejmë të gërshetuara tiparet bizantine me ato romake. Kishat bizantine paraqesin ndikime romake, ndërsa piktura bizantine dominon edhe në ndërtesat e stilit romak. Në jug vazhdojnë të ndërtohen kisha njënefëshe (e Shën Joanit në Boboshticë), bazilikat bëhen më të rralla dhe stili në formë kryqi të lirë me kupolë mbizotëron (p.sh. në Marmiro të Vlorës, në Manastirin e Tërëshenjtës Mari në Zvërnec). E Tërëshënjta e Vllahernës (e restauruar në shek. XVI) dhe kisha e Shën Triadhës (Trinisë së Shenjtë), në Berat, janë veçse një tip i thjeshtë kryqi i brendashkruar i të njëjtit stil; ndërsa kisha e Manastirit të Tërëshenjtës Mari, në Apolloni, i përket një tipi të ndërthurur. Një monument i veçantë bizantin, si nga kompozimi arkitekturor dhe ai dekorativ, është kisha e Shën Nikollës në Mesopotam, ndoshta e shek. XIII.                         

   3) Periudha pasbizantine

Kisha e Shën Triadhës
(Trinisë së Shenjtë).
Ndërtuar në shek. XIII.
Zbukuruar me afreske, në shek. XVI,
nga Onufër Neokastriti, nga Elbasani.
Kishë në formë kryqi,
me kupolë tetëkëndëshe.
Ndodhet pranë murit jugperëndimor
të Kalasë së Beratit.

   Ndërtimi i kishave u ndërpre plotësisht në fillim të pushtimit osman. Në shek. XVI, paralelisht me qytetet e vjetra, zhvillohen edhe qytete të reja në zona malore, si p.sh. Moskopoli (Voskopoja), Vithkuqi dhe Nica, ku dhe ndërtohen kisha që shquhen për nga thjeshtësia arkitektonike dhe modestia e formës së tyre. Nga mesi i shek. XVI shfaqen forma arkitektonike të zhvilluara nëpër manastire, të cilat ndërtohen kryesisht në vende të veçuara. Ndërtime karakteristike të shek. XVI janë: kisha e Metamorfozës së Shpëtimtarit (Sotirit), në Tremisht të Përmetit (1540 – 1560); kisha e Shën Athanasit në Mazhar të Poliçanit (1513), e Shën Dhimitrit (1526), e Manastirit të Profetit Ilia në Jergucat, e Hyjlindëses Mari në Zervat (1569), në Kamena dhe Vrahogoranxi. Nga shek. XVII shquhen kishat e manastireve: të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë (1632) dhe e Tërëshenjtës Mari në Barmash të Kolonjës etj. Një sërë manastiresh ndeshim edhe gjatë bregdetit të Jonit – në gjirin e Kakomesë (1672), në Krorëz, në Krimorovë, në Piqeras (1672). 
    Në shek. XVIII ndërtohen më shumë kisha, me arkitekturë e dekoracion të përmirësuar. Rëndësi i jepet kryesisht ambientit të brendshëm, ndërsa nga jashtë ndërtesa mbetet e thjeshtë, që të mos provokojë pushtuesit që kishin tjetër besim. Në këtë shekull kemi një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik e shoqëror, fuqizim të feudalëve shqiptarë dhe situatë relative të qetë politike. Në të njëjtën kohë shtohet kthimi në myslimanë dhe ligjet e rrepta ndalojnë ndërtimin e kishave të krishtera. Prandaj, në qytete e në fshatra kishat ndërtohen në mënyrë të tillë që të përzihen arkitektonisht me shtëpitë. Shembull karakteristik i kishës pasbizantine në Berat është kisha katedrale e së Tërëshenjtës Mari (1797). Në Myzeqe mbizotëron Manastiri i Ardenicës (Ardhevusës), në të cilin ndërtesat e sotme (të shek. XVIII) janë ndërtuar mbi rrënojat e një manastiri të periudhës bizantine.
   Nga mesi i shek. XVIII deri në mesin e shek. XIX, u ndërtuan kisha pothuajse në çdo fshat të Myzeqesë. Modeli përfaqësues është stili bazilik trenefëshe, me kolona druri dhe tavan të sheshtë, siç është kisha e Shën Gjergjit, në Libofshë (1776). Edhe në Voskopojë 7 kishat që ekzistojnë sot paraqesin një formë arkitekturore unikale të mrekullueshme, veçanërisht ambjentet e brendshme të stilit bazilik janë me kupolë dhe janë ndërtuar me ndjeshmëri të veçantë.
   Nga shek. XIX ruhen gjer më sot pak kisha (si p.sh. e Shën Nikollës, në Toshkëz (1811) dhe kisha e Manastirit të Shën Kozmait, në Kolkondas të Fierit (1813 – 1814), e cila është bazilikë trenefëshe me kupolë.

   Mozaikët

   Bashkë me monumentet arkitektonike, ruhen edhe mozaikë me vlerë (në Tiranë, Arapaj të Durrësit, Bylis, Sarandë, Antigone etj.). Tematika e tyre nuk është nga Shkrimi i Shenjtë; ata, duke ndjekur traditën njerëzore formojnë relieve, figuracione bimësh, zogjsh, kafshësh e skena barinjsh.
   Mozaiku më i rëndësishëm nga ata të dyshemesë së bazilikës së Mesaplikut, që ruhet në Muzeun e Tiranës, paraqet portretin e një burri në profil me mbishkrimin: APARKEAS. Disa mozaikë duken disi të thjeshta, por megjithatë ato kanë vlera të mëdha artistike si p.sh. mozaiku në pagëzimoren rrethore të Butrintit.
   Mozaikët e vetëm muralë që janë gjetur deri tani janë ato të kishëzës (kapeles) së amfiteatrit të Durrësit, (ku paraqiten Shën Stefani, një figurë perandoreshe – ndoshta e së Tërëshenjtës Mari – kryeengjëjt, dhuruesit) që paraqesin mjaft ngjashmëri me mozaikët e Selanikut.