Me shpresëtari edhe besim të madh nisi Java e Madhe në mitropolinë e Gjirokastrës.
    Pavarësisht motit të keq që u shënua gjatë kësaj periudhe, besimtarë të shumtë ndoqën shërbesat madhështore të kësaj të kremteje.
    Shërbesën e dhëndrit në qytetin e Gjirokastrës e kryesoi Mitropoliti, Hirësia e Tij Dhimitër, por besimtarë të shumtë kishte në të dyja kishat e qytetit.
    Shërbesa e Efqelisë, të Mërkurën e Madhe  u kryesua nga Episkopi i Amantias, Hirësia e Tij Nathanail, i cili gjatë gjithë kësaj jave kishte ardhur për të ndihmuar në shërbesat. Gjithashtu edhe Liturgjinë Hyjnore të së Enjtes së Madhe e kreu Episkopi Nathanail, me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat e mitropolisë, si dhe të besimtarëve të tjerë nga qyteti.
    Në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe, Shërbesa e dymbëdhjetë ungjijve u krye në të dyja kishat e qytetit.
    Pas Shërbesës së orëve në mëngjesin e së premtes dhe zbritjes së Zotit nga Kryqi, në mbrëmje vijoi procesioni i Epitafit të Shenjtë, i cili u kryesua nga Mitropoliti Dhimitërdhe episkopit i Amantiasë Nathanail, në kishën e Metamorfozës së Shpëtimtarit.
    Ashtu siç është bërë traditë tashmë në qytetin tonë, të shtunën e madhe në mëngjes, Hirësia e Tij Dhimitri kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e Kryeengjëjve, ku besimtarë të shumtë u kunguan me trupin dhe gjakun e Zotit.
    Dita e Ngjalljes këtë vit u shoqërua me reshje të dendura shiu dhe për këtë arsye në të dyja kishat shërbesa e Ngjalljes u krye brenda kishës.
    Në kishën e Metamorfozës, kjo shërbesë u kryesua nga Mitropoliti Dhimitër, ndërsa në kishën e Kryeengjëjve nga episkopi Nathanail. Por moti nuk i pengoi besimtarët që të ndiqnin këtë të kremte të Pashkës, të kremten më të madhe për të krishterët orthodhoksë.
E.Lito