Njeriu

    Njeriu është krijimi i veçantë i Perëndisë. Ai është i vetmi “i krijuar sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë” (Gjeneza 1:26). Ai u krijua nga Perëndia prej dheut në mbarim të procesit të krijimit (“ditën e gjashtë”) dhe nga vullneti i veçantë i Perëndisë. Ai është bërë të marrë frymë prej “frymës së jetës” (Gjeneza 2:7), të njohë Perëndinë dhe të këtë pushtet mbi gjithçka që Perëndia ka bërë.

    Njeriu u krijua si biseksual – “mashkull e femër Ai i bëri ata” (Gjeneza 1:27; 2:21) – dhe që të “shtohej e shumohej” (Gjeneza 1:28). Kështu, sipas doktrinës orthodhokse, seksualiteti i përket krijimit që Perëndia e quajti “shumë mirë” (Gjeneza 1:31) dhe në vetvete nuk është mëkatar. Ai i përket natyrës së njerëzimit dhe abuzimi në të sjell mëkatin.

    Si shembëlltyrë e Perëndisë, sundues mbi gjithë krijimin dhe bashkëkrijues me Krijuesin e Pakrijuar, njeriu ka detyrën që “të reflektojë” Perëndinë në krijimin: duke shpërndarë vullnetin, praninë dhe fuqinë e Perëndisë në tërë universin dhe të transformojë gjithçka që ekziston në parajsë të Perëndisë. Në këtë kuptim, njeriu është krijuar për një qëllim më të lartë se fuqitë pa trup, engjëjt. Kjo bindje pohohet nga Krishtërimi Orthodhoks, jo vetëm sepse Shkrimi i Shenjtë thekson që njeriu është bërë në shembëlltyrën e Perëndisë, për të sunduar mbi krijimin, gjë që nuk është thënë për engjëjt; por, gjithashtu edhe sepse është shkruar për Jisu Krishtin, që është me të vërtetë njeriu i përsosur dhe Adami i Dytë (1 Korinthianët 15:45) që: “Perëndia e lartësoi fort tepër, edhe i fali një emër që është përmbi çdo emër; Që në emrin e Jisuit të unjet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe e nën dhe, dhe çdo gjuhë të rrëfenj se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.” (Filipianët 2:9-11).

    Rezulton prej besimit në Jisuin, se njeriu është krijuar për një jetë më superiore se çdo krijesë tjetër, madje edhe prej engjëjve, që lavdërojnë Perëndinë dhe i shërbejnë çështjes së shpëtimit të njeriut. Pikërisht kjo bindje, pohohet kur Kisha përshëndet Marinë, Hyjlindësen, si “më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se sa Serafimet”. Ajo që është lavdëruar dhe përmbushur në njerëzoren Mari, pritet dhe shpresohet për tërë njerëzit “që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë” (Lluka 11:28). Sipas besimit të krishterë, njeriu është krijuar me një dinjitet të madh. Njeriu është “më i rëndësishmi” i krijesave të Perëndisë, për të cilin, “tërë gjërat e dukshme dhe të padukshme” janë krijuar prej Perëndisë.

    Doktrina orthodhokse thekson, se vetëm nëpërmjet dritës së zbulesës së plotë të Jisu Krishtit, mund të kuptohet dhe vlerësohet çfarë do të thotë të jesh njerëzor. Duke qenë Fjala Hyjnore dhe Biri i Perëndisë në mish njerëzor, Jisui zbulon kuptimin real të njerëzimit. Si Njeriu i Përkryer dhe Adami i Pastajmë, “njeriu prej qiellit”, Jisui na jep interpretimin e saktë të historisë së krijimit, shkruar në librin e Gjenezës. Apostull Pavli shkruan, se Adami e gjen kuptimin e tij si “tipi (ose forma) e atij që do vinte” të quajtur Jisu Krisht (Romanët 5:14). Kështu është shkruar, “I pari njeri, Adami, “u bë shpirt i gjallë”; i pastajmi Adam, frymë që jep jetë. Edhe nuk u bë më parë ajo e frymës, por ajo e gjallesës, pastaj ajo e frymës. Njeriu i parë është prej dheut, prej baltës; njeriu i dytë është Zoti prej qielli. Siç është i baltës, të tillë janë ata të baltës, dhe siç është qiellori të tillë janë qiellorët” (1 Korinthianët 15:45-49).

    Sipas teologjisë orthodhokse, të mbartësh shembëlltyrën e Perëndisë është të jesh i ngjashëm me Krishtin, Imazhin e pakrijuar të Perëndisë dhe të marrësh pjesë në të gjitha atributet shpirtërore të Hyjnisë. Ose, siç shpreheshin etërit e shenjtë, të bëhesh nga hiri hyjnor çfarë Perëndia është prej natyre. Nëse Perëndia është një Qenie e lirë, frymore dhe personale, kështu dhe qeniet njerëzore, mashkull dhe femër, janë të njëjtë. Ashtu si Perëndia, që është kaq i fuqishëm dhe krijues, që ka sundimin mbi tërë krijesat, ashtu edhe krijesat njerëzore, të bëra sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij, gjithashtu janë për të ushtruar sundimin në botë. Nëse Perëndia ushtron sundimin dhe autoritetin jo me anë të tiranisë dhe shtypjes, por me anë të dashurisë dhe shërbesës, ashtu edhe krijesat e Tij duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse vetë Perëndia është dashuri, mëshirë, dhembshuri dhe kujdes në gjithçka, kështu duhet të jenë dhe krijesat e Tij, të bëra të ngjashme më Të. Dhe së fundi, nëse Perëndia rron përjetë në jetën e amëshuar, duke mos vdekur kurrë, por duke ekzistuar gjithmonë në gëzim të përkryer, në bukuri të harmonishme dhe në lumturi me tërë krijimin, ashtu edhe qeniet njerëzore janë krijuar për jetën e përjetshme dhe kungim të gëzuar dhe harmonik me Perëndinë dhe me tërë krijimin.

    Sipas doktrinës orthodhokse, qenia njerëzore dhe jeta, në zhvillimin dhe rritjen e tyre, kurrë nuk plotësohen dhe mbarohen, sepse janë bërë sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Qenia e Perëndisë dhe jeta janë të pashtershme dhe pa kufi. Ashtu si Arkeotipi Hyjnor nuk ka kufi në hyjnishmërinë e Tij, ashtu dhe njeriu, si shembëlltyrë njerëzore e Perëndisë, nuk ka kufi në njerishmërinë e tij, në atë që mund të bëhet prej hirit të Krijuesit të tij. Prandaj, natyra njerëzore është krijuar nga Perëndia, që të rritet dhe të zhvillohet në përjetësi, nëpërmjet pjesëmarrjes në natyrën e Perëndisë. Njeriu është krijuar që të bëhet gjithnjë e më tepër dhe kjo në përjetësi, i ngjashëm me Perëndinë, madje edhe në Mbretërinë e Perëndisë në mbarim të kësaj jete, kur Krishti do të vijë përsëri me lavdi, për të ngjallur të vdekurit dhe për t’u dhënë jetë atyre që e duan Atë.

    Kështu na mësuan etërit e shenjtë të besimit orthodhoks, që çfarëdo stadi pjekurie dhe zhvillimi të arrijë njeriu, çfarëdo qoftë fuqia, dituria, mëshira, njohuria dhe dashuria e tij, gjithmonë do të ketë para tij një pafundësi e një përmbushje më të madhe jete, për të marrë pjesë dhe për të jetuar në Trininë e bekuar. Fakti që natyra njerëzore përparon përjetësisht në përsosje, në natyrën e Perëndisë, përbën kuptimin e jetës për njeriun dhe mbetet përgjithmonë burimi i gëzimit të tij për jetë të jetëve.

    Burri dhe gruaja, mashkulli e femra, janë krijuar nga Perëndia të jetojnë së bashku në një bashkim jete, dashurie dhe të qenuri. Burri është udhëheqësi në aktivitetet njerëzore; ai pasqyron Krishtin si Adam i ri dhe i përkryer. Gruaja duhet të jetë “ndihmësja” e burrit dhe “nëna e të gjithë të gjallëve”. Në lidhje me marrëdhëniet me burrin ajo simbolizohet me marrëdhënien e Marisë dhe Kishës, Evës së Re, me Krishtin, Adamin e Ri. Ajo frymëzon jetën e burrit dhe plotëson qenien e tij dhe përmbush jetën e tij. Gruaja nuk është një instrument i burrit, por një person me të drejtat e saj, që merr pjesë në natyrën e Perëndisë dhe një plotësues i nevojshëm i burrit. Nuk mund të ketë burrë pa gruan – nuk ka Adam pa Evën; ashtu si nuk mund të ketë grua pa burrin. Të dy jetojnë së bashku, në kungim dhe harmoni të përsosur, për përmbushjen e natyrës dhe jetës njerëzore.

     Ndryshimet ndërmjet burrit dhe gruas janë reale dhe të pandryshueshme. Ato nuk kufizohen vetëm në ndryshimet biologjike apo fizike. Ato janë më tepër “mënyra ekzistence”, brenda së njëjtës njerishmëri; ashtu si ne mund të themi, që Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë “mënyra ekzistence” të ndryshme brenda së njëjtës hyjnishmëri, së bashku me Perëndinë Atë. Mashkulli dhe femra duhet të jenë në bashkim shpirtëror, si edhe në bashkim fizik. Ata duhet të shprehin së bashku, në të njëjtën njerishmëri, të gjitha virtytet dhe fuqitë që i përkasin natyrës njerëzore, të krijuar sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Nuk ka virtyte apo fuqira që i përkasin burrit dhe jo gruas; ose gruas dhe jo burrit. Ata janë thirrur së bashku në përsosjen shpirtërore drejt të vërtetës dhe dashurisë dhe në të gjitha virtytet hyjnore, që Perëndia i ka dhënë krijesave të Tij.

    Armiqësitë dhe rivalitetet që ekzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas në këtë botë nuk i përkasin “mënyrave të ndryshme të ekzistencës”, të krijuara nga Perëndia, por më tepër i përkasin mëkatit. Nuk duhet të ketë tirani të burrit mbi gruan; as shtypje apo skllavëri. Ashtu si nuk duhet të ketë përpjekje të grave për t’u bërë burra dhe të mbajnë pozitën e mashkullit në rendin e krijimit. Por, duhet të jetë një harmoni dhe një unitet në bashkësinë e qenieve, me dallimet e tyre natyrore dhe me rendin e krijuar natyror.

    Në Trininë e Shenjtë ne kemi njëqenshmërinë e natyrës, si dhe dallimin e mënyrave të qenies brenda Hyjnisë. Sepse në Vetë Hyjninë e Trinisë ka një unitet të natyrës dhe të qenurit, siç ka dhe një dallim real ndërmjet Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, në mënyrën se si çdo Person Hyjnor jeton dhe shpreh natyrën e përbashkët të Perëndisë. Ka një rend në Trininë e Shenjtë. Madje ka një hierarki, nëse ne nuk do ta marrim këtë term në kuptimin e një ndryshimi në natyrën ndërmjet Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, por thjesht në mënyrën në të cilën Personat Hyjnorë lidhen me njëri-tjetrin dhe me njeriun dhe me botën. Në Vetë Trininë, Ati Vetëm është “Burimi i Hyjnisë.” Biri është shprehja e Atit dhe është “subjekt” tek Ai. Dhe Shpirti i Shenjtë, i së njëjtës esencë dhe plotësisht i barabartë me Atin dhe me Birin, është Personi “i tretë”, që përmbush vullnetin e Atit dhe të Birit. Kjo është dogmë e Kishës. Por ata nuk janë të njëjtë dhe ka një relacion rendi ndërmjet tyre, në të cilin ka “prioritete” në të qenurit dhe në veprimin, të cilët jo vetëm nuk prishin përsosjen dhe unitetin e përsosur të Perëndisë, por, madje, e lejojnë atë dhe e bëjnë atë të jetë hyjnor dhe i përsosur (Shih sektorin Trinia e Shenjtë). Jeta Trinitare e Perëndisë është Arkeotipi dhe Modeli Hyjnor për qenien dhe veprimin e mashkullit dhe femrës brenda rendit të krijimit.