Ngjitja (Shestja)
Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.
Mbas ngjalljes, Jisui iu shfaq njerëzve për një periudhë prej dyzet ditësh. Pastaj Ai “hipi në qiejt edhe ndenji në të djathtë të Perëndisë” (Marku 16:19; shih gjithashtu Lluka 24:50 dhe Veprat 1:9-11).
Ngjitja e Jisu Krishtit është akti final i misionit tokësor të shpëtimit. Biri i Perëndisë zbriti “nga qielli” për të bërë veprën që Ati i dha për të bërë; dhe mbasi kreu gjithçka u kthye tek Ati, duke mbartur përjetësisht njerishmërinë e plagosur dhe të lavdëruar që Ai mori mbi vete (Shih p.sh. Joani 17).
Kuptimi doktrinor i ngjitjes është lavdërimi i natyrës njerëzore, bashkimi i njeriut me Perëndinë. Me të vërtetë, është depërtimi i njeriut në thellësitë hyjnore pambarim. Tashmë ne kemi parë që “qiejt” janë në Bibël shprehje simbolike për “mbretërinë e Perëndisë” së pakrijuar, jolëndore dhe hyjnore, siç dhe e ka quajtur një nga shenjtorët e Kishës. Të thuash që Jisui “u ngrit lart në të djathtë të Perëndisë”, siç tha Pietri në predikimin e parë të krishterë (Veprat 2:33), do të thotë pikërisht këtë: që njeriu u restaurua në kungimin me Perëndinë, në një bashkim që është sipas doktrinës orthodhokse, më i madh dhe më i përsosur se ai i dhënë njeriut ne krijimin e tij fillestar (Shih Efesianët 1-2).
Njeriu u krijua me potencialin të bëhej një “pjesëtar i natyrës së Perëndisë”, duke iu referuar përsëri Apostull Pietrit (2 Pietri 1:4). Kjo pjesëmarrje në hyjni është quajtur theosis (që literalisht do të thotë hyjnizim) në teologjinë orthodhokse. Kjo është kryer nga ngjitja e Krishtit. Shprehja simbolike e “të ndenjurit në të djathtë” të Perëndisë do të thotë pikërisht këtë. Nuk duhet kuptuar që diku në universin e krijuar Jisui fizik është ulur në një fron material.
Letra e Hebrejve flet për ngjitjen e Krishtit me termat e Tempullit të Jerusalemit. Ashtu si kryepriftërinjtë e Izraelit hynin në “shenjtëroren e shenjtëroreve”, për t’i blatuar Perëndisë për vetveten dhe për popullin, ashtu edhe Krishti, Kryeprifti i vetëm, i përsosur dhe i përjetshëm, e blatoi vetveten tek Perëndia në kryq, si Blata e vetme, e përsosur dhe e përjetshme, jo për veten e tij, por për të gjithë njerëzit mëkatarë.
Si një njeri, Krishti hyn (një herë e përgjithmonë) në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, që është e vetme, e përsosur dhe e përjetshme: që është “Prania e Perëndisë në qiejt”. “Ne kemi një kryeprift të madh që depërtoi qiejtë, Jisuin, Birin e Perëndisë…” (Hebrejtë 4:14).
“Sepse i këtillë kryeprift duhej për ne, i shenjtë, i pafajshëm, i pa njollë, i ndarë veç prej fajtorëve, edhe i bërë më i lartë se qiejtë; I cili nuk ka nevojë si ata kryepriftërinjtë, të sjellë kurban përditë, më përpara për fajet e tij dhe pastaj për ato të popullit; sepse këtë ai e bëri një herë, kur pruri kurban veten e tij. Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo; Kemi një të tillë kryeprift, i cili ndenji në të djathtë të fronit të Madhërisë në qiejt, edhe është shërbyes i shenjtërores edhe i tendës së vërtetë të cilën e ngriti jo njeri, por vetë Zoti” (Hebrejtë 7:26; 8:1-2).
“Sepse Krishti nuk hyri në shenjtërore bërë me dorë, që është një kopje e së vërtetës, por në vetë qiellin, që të shfaqet para Perëndisë për ne” (Hebrejtë 9:24).
“Po ai, pasi pruri një kurban për faje, ndenji përgjithnjë në të djathtë të Perëndisë, duke pritur deri sa të vihen armiqtë e tij nën nënkëmbësen e këmbëve të tij” (Hebrejtë 10: 12-13, Psalmi 110:1).
Kështu, ngjitja e Krishtit, është parë si hyrja e parë e njeriut në lavdërimin hyjnor, për të cilin ai edhe u krijua. Hyrja u bë e mundur nga lartësimi i Birit hyjnor, i cili zbrazi vetveten në mish njerëzor, në vetëblatimin e përkryer tek Perëndia.
>