Mbas bekimit të Mbretërisë, thuhet Lutja e Madhe. Kjo lutje hap çdo shërbesë liturgjike të Kishës Orthodhokse, si edhe të gjitha misteret dhe shërbesat e veçanta. Kjo është lutja e Kishës, që përfshin gjithçka që bëhet për çdo njeri dhe për çdo gjë. Ajo përbëhet nga lutje të ndryshme të cilave populli i përgjigjet: Mëshiro o Zot. Lutja e Madhe fillon me lutjet “me paqe” dhe “për paqen”. Pastaj, njerëzit vazhdojnë të luten për shpëtimin e shpirtrave të tyre, për qëndrimin e mirë të Kishave të Perëndisë dhe për bashkimin e të gjithëve; për ata që hyjnë brenda në kishë me shprestari dhe frikë Perëndie, për peshkopët, priftërinjtë, dhiakonët dhe tërë popullin në kishë; për kombin e institucionet e tij, gjë për të cilën të gjithë janë të përgjegjshëm: presidentin, autoritetet civile dhe forcat e armatosura, për qytetin dhe vendin; për mot të mirë dhe begati të pemëve, për udhëtarët, të sëmurët, vuajtësit dhe robërit.
Së fundi, mbasi i kërkojnë Perëndisë shpëtimin nga çdo rrezik e nevojë, si edhe ndihmë për shpëtim, mëshirë dhe mbrojtje, populli kujton Hyjlindësen dhe tërë shenjtorët, duke i parashtruar vetveten dhe njeri-tjetrin dhe tërë jetën e tyre Krishtit, Perëndisë së tyre. Lutja e Madhe mbaron me një dhoksologji drejtuar Trinisë së Shenjtë, së cilës i përket tërë lavdia, nderimi e adhurimi, tani e përherë e në jetë të jetëve. Lutja mbyllet përsëri me Amin nga populli.