Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.

    “Ky Jisu që hipi prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, sikundër e patë atë duke vajtur në qiell” (Veprat 1:11). Këto fjalë të engjëjve, iu drejtuan apostujve kur Zoti u ngjit në qiell. Krishti do të vijë përsëri me lavdi, “do të duket për së dyti pa faj ndër ata që e presin për shpëtim” (Hebrejtë 9:28). “Se Zoti vetë, me urdhër, me zë krye engjëlli dhe me trumbetë Perëndie do të zbresë prej qiellit, dhe të vdekurit më Krishtin, do të ngjallen të parët; pastaj dhe ne të gjallët që kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ta ndër retë, që të takojmë Zotin në ajër; dhe kështu do të jemi bashkë me Zotin ngahera” (1 Thesalonikasit 4:16-17. Apostulli i Shërbesës së Varrimit në Kishën Orthodhokse).

    Ardhja e Zotit në fund, në mbarim të jetëve do të jetë Dita e Gjykimit, Dita e Zotit e parathënë në Dhiatën e Vjetër dhe e paratreguar nga Jisui vetë (p.sh. Daniel 7; Mattheu 24). Koha e saktë se kur, nuk është parathënë, as nga vetë Jisui, kështu që njerëzit duhet të jenë gjithmonë të përgatitur me anë të veprave të mira dhe vigjëlimit shpirtëror.

    Prania e Krishtit si e Vërteta dhe Drita është në vetvete gjyqi i botës. Në këtë kuptim të gjithë njerëzit dhe e tërë bota janë tashmë gjykuar, ose më saktë, tashmë jetojnë në praninë e plotë të këtij realiteti – Krishti dhe veprat e tij – nga të cilat ata do të gjykohen në fund. Tani me Krishtin e zbuluar, nuk ka më justifikim për paditurinë dhe mëkatin (Joani 9:39).

 

    Në këtë pikë, është e nevojshme të kujtojmë që në gjyqin e fundit do të jenë edhe ata “që rrinë në të majtë”, që do të shkojnë “në zjarrin e përjetshëm të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij” (Mattheu 25:41; Zbulesa 20). Në këtë rast nuk është faji i Perëndisë, por është vetëm faji i njerëzve, sepse “Sikundër dëgjoj, gjykoj; edhe gjyqi im është i drejtë”, thotë Zoti (Joani 5:30). Perëndia nuk “gëzohet në vdekjen e mëkatarit” (Ezekiel 18:22), Ai “dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vinë në njohjen e së Vërtetës” (1 Timotheut 2:4). Ai bën gjithçka që shpëtimi dhe jeta e përjetshme të arrihen nga të gjithë.

    Gjithçka tani varet nga njeriu. Nëse disa njerëz e refuzojnë dhuratën e jetës në kungim me Perëndinë, Zoti e respekton lirinë e krijesave të Tij, të cilën Ai Vetë ua ka dhënë. Perëndia i lejon njerëzit të jetojnë “me djallin dhe engjëjt e tij” nëse ata e dëshirojnë atë. Edhe në këtë Ai është i drejtë dhe i dashur.

    Doktrina e ferrit të përjetshëm nuk do të thotë që Perëndia i torturon njerëzit, as nuk do të thotë që Ai gëzohet në dënimin dhe dhembjen e popullit të Tij, të cilin Ai e do. Por do të thotë që  Perëndia vazhdon t’i lejojë të jetojnë përgjithmonë të gjithë, shenjtorë e mëkatarë. Të gjithë do të ngjallen: “ata që kanë bërë mirë në të ngjallur jete; po ata që kanë punuar të liga në të ngjallur gjyqi” (Joani 5:29). Në fund, Perëndia do të jetë “gjithçka në të gjitha” (1 Korinthianët 15:28). Për ata që e duan Perëndinë, ngjallja prej së vdekurish dhe prania e Perëndisë do të jetë Parajsë. Për ata që e urrejnë Perëndinë, ngjallja së vdekurish dhe prania e Perëndisë do të jetë ferr. Ky është mësimi i Etërve të Kishës.

  •  “Ka shpërthyer një dritë për të drejtin dhe e shoqëruar me një ngazëllim. Dhe drita e të drejtit është e përjetshme… Një dritë e vetme le të na ndriçojë – ajo që është pjellë e zjarrit të dhembshëm…
  •  Sepse unë njoh një zjarr pastrues që Krishti e dërgoi mbi dhe, dhe Ai Vetë është quajtur zjarr. Ky zjarr heq gjithçka që është materiale dhe e një cilësie të keqe; dhe këtë Ai dëshiron ta ndezë me tërë shpejtësinë…
  •  Unë njoh gjithashtu një zjarr që nuk është pastrues, por hakmarrës… të cilin Ai e derdh mbi tërë mëkatarët… që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij… i cili buron prej faqes së Zotit dhe do të djegë armiqtë e Tij kudo… zjarri i pashuar që …është fuqia shkatërruese, ndonëse disa mund të preferojnë madje dhe në këtë vend të kenë një opinion më të mëshirshëm për këtë zjarr, i denjë për Atë që ndëshkon” (Shën Grigor Theologu).
  • “…ata që e gjejnë vetveten në Gjehenë do të ndëshkohen me kamzhikun e dashurisë. Sa mizore dhe e hidhur do të jetë kjo torturë e dashurisë! Sepse ata që e kuptojnë që kanë mëkatuar kundër dashurisë do të pësojnë vuajtje më të mëdha se ato të shkaktuara nga torturat më të tmerrshme. Dhembja që shkaktohet në zemrën e atij që ka mëkatuar kundër dashurisë, është më therëse se çdo dhimbje tjetër. Nuk është e drejtë të thuhet që mëkatarëve në ferr u është mohuar dashuria e Perëndisë… Por, dashuria vepron në dy mënyra të ndryshme, si vuajtje në të dënuarit dhe si gëzim në të bekuarit” (Shën Isak Siriani).

    Kështu, pra, gjyqi i fundit dhe destinacioni i përjetshëm i njeriut, varet nëse njeriu i do apo jo Perëndinë dhe vëllezërit e tij. Varet nëse njeriu do më shumë dritën se errësirën – ose errësirën më shumë se dritën. Varet, mund të themi, nëse njeriu e do apo jo Dashurinë dhe Dritën Vetë; nëse njeriu do apo jo Jetën – që është Perëndia Vetë; Perëndia i zbuluar në krijimin, në të gjithë gjërat, në “më të voglin e vëllezërve.” Kushtet e gjyqit të fundit tashmë njihen. Krishti i ka dhënë ato me një qartësi të plotë.

Edhe kur do vijë Biri i Njeriut në lavdinë e Tij, edhe të gjithë engjëjt e shenjtëruar bashkë me Atë, atëherë do të rrijë në fron të lavdisë së Tij. Edhe do të mblidhen përpara Atij gjithë kombet, edhe do t’i ndajë ata njëri nga tjetri, sikurse bariu ndan dhentë nga dhitë, Edhe do t’i verë dhentë në të djathtë dhe dhitë në të majtë. Atëherë, Mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë “Ejani të bekuarat e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kurse është ngritur bota. Sepse pata uri, e më dhatë të ha; pata etje e më dhatë të pi; i huaj qeshë edhe më morët në shtëpi; isha i zhveshur dhe më veshët; isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni; isha në burg edhe erdhët tek unë”. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë duke patur uri e të ushqyem? a duke patur etje e të dhamë të pish? Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm në shtëpi? a të zhveshur e të veshëm? Edhe kur të pamë të sëmurë, a në burg edhe erdhëm tek ti?” Edhe mbreti  do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: “Me të vërtetë po u them juve, sado që i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë “Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarrin e pashuar, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij. Sepse pata uri e s’më dhatë të ha; pata etje e s’më dhatë të pi; isha i huaj e nuk më morët brenda; isha i zhveshur e nuk më veshët; isha i sëmurë dhe në burg edhe nuk erdhët të më shihni.” Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë “Zot, kur të pamë ty duke patur uri, a duke patur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg e nuk të shërbyem?” Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre “Me të vërtetë po ju them juve, sado që nuk do i bëni njërit prej këtyre më të vegjëlve, nuk ma keni bërë mua” Edhe këta do të venë në mundim të përjetshëm; edhe të drejtët në jetë të përjetshme (Mattheu 25:31-46).

    Krishti do të gjykojë, jo Perëndia Atë. Krishti ka marrë fuqinë e gjykimit “sepse është Biri i Njeriut” (Joani 5:27). Kështu, njeriu dhe bota nuk do të gjykohen nga Perëndia “i ulur në një re”, siç ishte, por nga Njëri që është një njeri i vërtetë, Njëri që ka pësuar çdo tundim të kësaj bote dhe ka dalë fitimtar. Bota do të gjykohet nga Ai që ka qenë Vetë i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, në burg, i plagosur dhe përsëri shpëtimi i të gjithëve. Si i Kryqëzuari, Krishti e ka arritur drejtësisht autoritetin për të gjykuar, sepse Ai vetëm ka qenë përsosmërisht shërbëtori i bindur i Atit që njeh thellësitë e tragjedisë njerëzore nëpërmjet eksperiencës së Tij.

    “I cili do t’ia shpaguajë gjithësecilit sipas punëve të tij; atyre që kërkojnë me durim në punë të mirë, lavdi, nder e përjetësi, Ai do t’u japë jetë të përjetshme; por atyre që grinden e nuk i binden së vërtetës, po i binden paudhësisë, do të jetë zëmërim e tërbim. Do të jetë hidhërim e shtrëngim në çdo shpirt njeriu që punon të ligën… po lavdi e nder e paqtim mbi cilindo që bën të mira… Sepse te Perëndia s’ka të mbajtur anë. Sepse sa mëkatuan pa ligjin, pa ligjin do të shuhen, edhe sa mëkatuan me ligjin, me ligjin do të gjykohen. Sepse nuk janë të drejtë përpara Perëndisë ata që dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë do të drejtësohen” (Romanët 2:6-13).