Mbas Kungimit të popullit, prifti i bekon ata me fjalët: O Zot, shpëto popullin tënd e beko trashëgimin tënd… Populli përgjigjet duke kënduar: Pamë dritën e vërtetë, morëm frymën qiellore, gjetëm besën e vërtetë, duke iu falur Trinisë së pandarë, se ajo na shpëtoi. Pastaj, prifti i bekon ata me potirin, në të cilin ndodhen akoma dhuratat e pamarra, të cilat i çon në Proskomidhi, ku dhiaku ose prifti më i ri mbaron gjithçka që ka mbetur në potir.

    Pastaj thuhet një litani falenderimi ndaj Zotit, i cili e ka bekuar popullin e tij, të marrë pjesë në “misteret e pavdekshme dhe qiellore”. Lutjet, gjithashtu, i kërkojnë Perëndisë, që t’i ruajë tërë ditën “të përsosur, të shenjtë, me paqe dhe të pamëkatshme”, që nëpërmjet marrjes së Kungatës së Shenjtë Perëndia të “na tregojë rrugën e drejtë, të na forcojë ne të gjithëve me frikën e tij, të na ruajë jetën, të na sigurojë hapat…”.

    Lutjet dhe këngët që pasojnë Kungatën e Shenjtë në Meshën Hyjnore, si çdo pjesë tjetër e shërbesës së shenjtë, presupozojnë që të gjithë anëtarët e Kishës janë pjesëmarrës në misterin eukaristik dhe po marrin dhuratat e Trupit dhe Gjakut të Krishtit. Blatimi, Anafora, Epiklisis, Përkujtimet, Ati ynë dhe vetë Kungimi, pohojnë pjesëmarrjen aktive të të gjithë besnikëve. Kështu pra, prej teksteve të Meshës Hyjnore, është e qartë se marrja e Kungatës Hyjnore nga ana e popullit, është një pjesë normale dhe e rregullt e liturgjisë dhe e jetës së krishterë. Kungimi nuk është rezervuar vetëm për ditë apo periudha të veçanta, por duhet të bëhet plot lutje e kujdes në çdo kohë kur kremtohet Mesha Hyjnore.

    Mund të ndodhë gjithashtu, që jo të gjithë anëtarët janë përgatitur të marrin Kungatën Hyjnore. Madje është e arsyeshme që kjo do të ndodhë shpesh, duke pasur parasysh kushtet e tanishme të jetës dhe numrin e madh të njerëzve që janë të krishterë vetëm nga emri. Megjithatë, duhet thënë me forcë dhe pa asnjë dyshim e rezervim, se lutjet, himnet dhe veprimet e Meshës Hyjnore të Kishës Orthodhokse, presupozojnë pjesëmarrjen e rregullt të të gjithë të krishterëve orthodhoksë në Kungimin e Shenjtë; dhe mosmarrja pjesë e besnikëve në Misteret e Shenjta të Krishtit, do të thotë ta zhveshësh Meshën Hyjnore nga qëllimi dhe kuptimi i saj themelor.