Përpara se Mesha Hyjnore të vazhdojë më tej, dy kushte duhet të plotësohen nga besnikët. Ato janë shprehjet solemne të dashurisë dhe besës, të cilat janë themelore për jetën e krishterë dhe pa të cilat, nuk mund të ketë vetëblatim dhe Kungim me Perëndinë. Prandaj, në këtë kohë bëhet thirrja nga altari: Le të duam njeri-tjetrin, që të rrëfejmë me një mendje… Dhe populli besimtar vazhdon frazën… Atin e Birin edhe Shpirtin e Shenjtë, Trininë e njëqenshme e të pandarë. Dashuria është themeli i jetës. Kjo është e vërteta themelore e krishtërimit. Pa dashuri nuk mund të ketë jetë, nuk mund të ketë të vërtetë dhe as Kungim me Perëndinë, sepse Perëndia është Dashuri (1 Joani 4:8,16). Kështu na mëson Jisu Krishti, që tërë Ligji i Dhiatës së Vjetër dhe Profetët varen në dy urdhërimet e mëdha të dashurisë për Perëndinë dhe për njerëzit dhe ai na ka dhënë edhe “udhëzimin e tij të ri”, që nxënësit duhet ta duan njeri-tjetrin “sikundër unë ju kam dashur ju” (Joani 13:34).

    Në Meshën Hyjnore, të krishterët thirren vazhdimisht në dashuri. Shprehja e jashtme e kësaj dashurie, në liturgji është puthja e paqes e bërë nga klerikët, e cila në kohët e shkuara bëhej dhe nga besnikët. Pa këtë dashuri Mesha nuk mund të vazhdojë. Mbas thirrjes së dashurisë, thuhet Simboli i Besimit. Sinjali tradicional për recitimin e Simbolit të Besimit është thirrja: “Dyert! Dyert! me urtësi, le të vemë re”. Dyert, për të cilat flitet këtu, janë dyert e ndërtesës së Kishës dhe jo dyert e ikonostasit, meqenëse kjo është një thirrje për t’u siguruar se të gjithë katekumenët dhe jo-kungimtarët, janë larguar nga Kisha dhe tani askush nuk mund të hyjë apo të largohet nga Mesha. Arsyeja historike e kësaj thirrje gjatë Meshës Hyjnore nuk është vetëm që të mbahet rregulli në Kishë, por që Simboli i Besimit të thuhej vetëm nga ata, të cilët tashmë e kishin thënë në pagëzim dhe vazhdojnë ta rrëfejnë atë brenda jetës së Kishës.

    Recitimi i Simbolit të Besimit në Meshën Hyjnore është njohja zyrtare dhe pranimi e pohimi i Pagëzimit, Mirosjes dhe të qenurit anëtar i Trupit të Krishtit, nga çdo anëtar i Kishës. Recitimi i Simbolit të Besimit është e vetmja pjesë në Meshë, me përjashtim të pohimit të ngjashëm të besimit para Kungimit, ku përdoret veta e parë njëjës Unë. Gjatë gjithë Meshës bashkësia lutet në shumës, Ne. Vetëm këtu çdo person rrëfen për vetveten besimin e tij personal: Unë besoj. Asnjë person nuk mund të besojë për një tjetër. Secili duhet të besojë për veten e tij. Një person që beson në Perëndinë, Krishtin, në Shpirtin e Shenjtë, në Kishën, Pagëzimin dhe në jetën e përjetshme, shkurt, një person që pohon dhe pranon anëtarësinë në Kishë nëpërmjet Pagëzimit, ai mund të marrë pjesë në Meshën Hyjnore. Një person që nuk mund ta bëjë këtë, nuk mund të marrë pjesë në Meshë. Ai nuk mund të marrë pjesë në të, sepse ky besim është një kërkesë e domosdoshme për anëtarët e Kishës Orthodhokse, që të marrin pjesë në Meshën Hyjnore. Pa këtë besim Mesha nuk mund të vazhdojë më tej. Me të dhe me njohjen zyrtare të tij në thënien e Simbolit të Besimit, veprimi liturgjik vazhdon më tej.

   Është zakon, që gjatë thënies së Simbolit të Besimit, kleri tund Ajrin përmbi Dhuratat e Shenjta, duke thënë dhe ai Simbolin e Besimit. Kjo përkundje ishte një akt nderimi ndaj perandorëve tokësorë në periudhën Bizantine. Më vonë, u përdor në Meshë si akt nderimi ndaj “dhuratave” të Mbretit Qiellor në mes të popullit të Tij, të cilat janë Ungjilli dhe dhuratat eukaristike.