Përpara se të fillojë Mesha Hyjnore, prifti hyn në Kishë, duke thënë disa lutje të veçanta dhe më pas vishet me rrobat e meshimit*. Pastaj, shkon në Tryezën e Blatimit për të përgatitur bukën dhe verën për Meshën Hyjnore. Kjo pjesë e Liturgjisë quhet Blata e Hyjshme ose Proskomidhia, që do të thotë Përgatitje. Kjo formë e Proskomidhisë që kemi sot ka mundësi të datojë qysh prej shekullit të XIV. Në shërbesën e Blatës së Hyjshme prifti pret në fillim një kub të gjerë nga buka e meshës, e cila tradicionalisht quhet prosfora, që do të thotë blatim. Ky kub buke quhet Qengji dhe nënkupton Krishtin, “Bukën e jetës… që zbriti prej qiellit; Qengjin e Perëndisë që heq mëkatin e botës”(Joani 6:32-35,1:29)

    Gjatë kohës që prifti po pret Qengjin nga buka e meshës, ai thotë vargje nga profecia e Isaisë: U soll për therrje si dele… (Isaia 53:7-8). Ai e pret Qengjin në atë mënyrë që vula, me të cilën mesha është vulosur, të qëndrojë sipër dhe në qendër. Vula është një katror me simbolet e Jisu Krishtit (IC XC) në pjesën e sipërme dhe Fiton (NIKA) në pjesën e poshtme. Pastaj, Qengji kthehet përmbys dhe pritet në formën e kryqit, në mënyrë që të mund të ndahet lirisht në katër pjesë në kohën e Kungimit të Shenjtë. Prifti, gjithashtu, e shpon në mënyrë simbolike anën e djathtë që ka shkronjat NI me thikën e meshës, që tradicionalisht quhet shtizë, duke thënë fjalët nga Ungjilli i Joanit 19:34-35.

    Mbasi ka derdhur verë të përzier me ujë në potir, prifti pastaj vendos një pjesë të vogël nga buka, në dhisk pranë Qengjit, në kujtim të Hyjlindëses. Pastaj, pjesë të vogla buke vihen në dhisk në kujtim të Kryeengjëjve të shenjtë Mikael dhe Gabriel, të Joan Pagëzorit, profetëve, apostujve, hierarkëve, martirëve, oshënarëve, anargjirëve dhe tërë të drejtëve. Përmendet veçmas shenjti i ditës dhe së fundi, një pjesë e vogël buke vendoset në dhisk për kujtim të shenjtit, Meshën e të cilit po kremtojmë. Gjithashtu, thërrime buke vendosen në dhisk për peshkopin e Kishës, për tërë besnikët, të gjallë dhe të vdekur, duke i përmendur emrat e tyre.

    Pastaj, prifti duke thënë vargje nga Psalmi 93 dhe nga psalme të tjerë, e mbulon dhiskun dhe potirin me disa mbulesa të veçanta, duke e temjanisur blatën. Së fundi, ai thotë lutjen e mëposhtme: O Perëndi, Perëndia ynë, që dërgove bukën qiellore, ushqimin e tërë botës, Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, si shpëtimtar, çlirimtar dhe mirëbërës, që na bekon dhe na shenjtëron; Ti vetë, beko këtë Paravënie dhe pranoje në altarin tënd të përmbiqiellshëm; kujto si i mirë dhe njeridashës, ata që i sollën dhe ata për të cilët i sollën; dhe ruajna të pastër në të kryerit e mistereve të tua hyjnore. Se i shenjtëruar dhe i lavdëruar është emri yt i nderuar dhe madhështor, i Atit, i Birit dhe i Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

    Përlëshimi i vogël dhe bekimi thuhen mbas kësaj lutje dhe kështu mbaron Shërbesa e Blatës së Hyjshme. Shërbesa e Blatës së Hyjshme është një zhvillim i vonë në historinë e Meshës Hyjnore. Ajo tregon bashkimin e tërë Kishës së Perëndisë në një bashkësi të madhe: Krishti, koka, së bashku me Hyjlindësen dhe me tërë pjesët e Trupit të Tij; ata, të cilët tashmë janë lavdëruar me Atë në prani të Atit, së bashku me tërë nxënësit besnikë në tokë. Blata e Hyjëshme e tregon qartë se liturgjia eukaristike është gjithmonë veprimi i tërë Kishës, me Jisu Krishtin si kokë dhe blatohet gjithnjë “për të gjithë dhe për të gjitha”.
___________________
* Këto rroba të veçanta quhen stoli.