Mbas falenderimit të Perëndisë për dhuratën e Kungatës së Shenjtë, kremtuesi i thotë popullit: Me paqe le të shkojmë. Ata i përgjigjen me fjalët: Në emrin e Zotit.Prifti del tek Dera e Bukur dhe para ikonës së Krishtit thotë lutjen e fundit, që quhet lutja e amvonës, në të cilën prifti i kërkon Perëndisë bekimin dhe paqen për të gjithë popullin e tij, Kishën dhe botën. Në këtë lutje besimtarët pohojnë gjithashtu, së bashku me Apostullin Jakov “Se çdo dhënie e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur, zbret që lartazi prej teje, Atit të dritave” (Jakovi 1:17). Mbas kësaj lutjeje, e cila i jep Perëndisë “lavdi, falenderim dhe adhurim”, populli këndon tre herë: Emri i Zotit qoftë i bekuar, që tani e gjer më jetët.
Në këtë pikë, prifti normalisht bën lajmërimet e ndryshme, përshëndet popullin dhe i jep bekimin e tij personal. Bekimi përfundimtar i Meshës Hyjnore thuhet mbas thirrjes së lavdisë së Krishtit si “Perëndia jonë dhe shpresa jonë”. Bekimi përfundimtar liturgjik, është bekimi i Krishtit. Në Ditën e Zotit (e Diela) bekimi fillon gjithmonë me referimin për ngjalljen e tij së vdekurish. Në ditë të tjera, referimi mund të jetë në disa aspekte shpëtimtare të veprës dhe personit të Zotit. Në këtë bekim përfundimtar, thirret mbi popullin mëshira dhe shpëtimi i Krishtit, Zotit Njeridashës, me ndërmjetimet e Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari dhe me lutjet e gjithë shenjtorëve të ditës, të shenjtit, Meshën e së cilit kremtojmë, shenjtin e Kishës dhe sidomos shenjtët e nderuar nga Kisha lokale.
Mbas bekimit përfundimtar popullit i ndahen pjesët e bukës, nga të cilat u morën dhuratat eukaristike në fillim të Meshës. Kjo bukë quhet naforë ose antidhoron, që do të thotë “në vend të dhuratës,” meqenëse fillimisht jepej tek ata që nuk kishin marrë Kungatën. Sot i jepet të gjithëve.
Përlëshimi në Meshën Hyjnore është një akt liturgjik dhe misteror, siç është dhe akti fillestar i mbledhjes së popullit në Kishë. Ky është hapi përfundimtar i tërë lëvizjes së liturgjisë. Në përlëshimin prej mbledhjes liturgjike, Populli i Perëndisë urdhërohet të shkojë me paqe në botë, për të dhënë dëshmi për Mbretërinë e Perëndisë, në të cilën ata ishin pjesëmarrës në liturgjinë e Kishës. Ata janë urdhëruar që të marrin gjithçka që ata kanë parë, dëgjuar dhe përjetuar brenda Kishës dhe ta bëjnë atë të gjallë në personat e tyre brenda jetës së botës. Vetëm në këtë mënyrë, prania e fuqia e Mbretërisë së Perëndisë, e cila nuk është e “kësaj bote”, mund të shtrihet jashtë Kishës dhe në jetët e njerëzve.
Ata që kanë parë Dritën e Vërtetë, që kanë marrë Frymën Qiellore, që kanë gjetur Besën e Vërtetë në liturgjinë e Kishës; ata që kanë marrë misteret e shenjta, hyjnore, të pavdekshme dhe jetëbërëse të Krishtit, bëhen të aftë të bëjnë lëçitjen dhe të japin dëshminë, që u bë dhe u dha nga apostujt dhe nga të gjithë të krishterët e vërtetë, të çdo kohe dhe çdo brezi. Kjo është arsyeja që ekziston Kisha e Perëndisë dhe Mesha Hyjnore.