Në stinën e nxehtë të verës, stinë në të cilën mbaron viti shkollor dhe nisin pushimet verore, Kisha jonë Orthodhokse nisi të zhvillojë kampe argëtuese dhe me tema shpirtërore për fëmijë të moshave 9-vjeçare, gjimnazistë, si edhe për studentë nga e gjithë Shqipëria. Kampet janë zhvilluar në dy vende: në manastirin e “Shën Vlashit” në Durrës për djemtë dhe kampi i vajzave në manastirin e “Shën Joan Vladimirit” në Elbasan.
   Një ndër kampet që mbylli me sukses “maratonën” e tij ishte edhe kampi i gjimnazistëve në manastirin e Shën Vlashit. Ky kamp nisi më 10.07.2006 dhe përfundoi më 21.07.2006. Tema kryesore ishte “Të Lumurit” dhe e merrte emrin nga lumërimet e Zotit Krisht në “Malin e Ullinjve” (Mattheu 5:2-17). Vetë emrat e grupeve bazoheshin në lumërimet e Zotit tonë Jisu Krisht. Ishin gjithsej 8 grupe dhe disa ndër emrat e tyre ishin: Gëzimi, Martirët, Durimi, Të Mëshirshmit, Zemërpastrit, etj.
   Drejtues i kampit ishte z. Spiro Kostoli, pedagog i muzikës bizantine në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Sh. Vlash, i cili ka patur edhe eksperiencë në kampe të mëparshëm në role të ndryshme drejtuese. Ndërsa drejtues grupesh ishin studentë të Akademisë Teologjike dhe të sapodiplomuar në këtë Akademi.
   Për sa i përket kuadrit shpirtëror, kampi niste me shërbesën e Mëngjesores, studimit biblik në grupe, vazhdonte me referatin e mbrëmjes, i cili zhvillohej çdo ditë me pjesëmarrjen e gjithë kampistëve dhe kryhej nga një drejtues grupi dhe çdo referat bazohej në një nga lumërimet e Zoti në mal. Gjithashtu çdo mbrëmje kryhej shërbesa e Mbrëmësores dhe pas darkës shërbesa e Pasdarkës. Në kuadrin shpirtëror por jo të përditshëm, nuk lëmë pa përmendur edhe Liturgjinë Hyjnore të së dielës dhe të kremtes së Profetit Ilia, si dhe dy ditë ku kampistët patën mundësinë për t’u rrëfyer tek dy etër shpirtërorë, të cilët erdhën në kamp për të ndihmuar në rritjen shpirtërore të gjimnazistëve pjesëmarrës në kamp. Por nuk mund të lihen pa përmendur edhe bisedat spontane shpirtërore ndërmjet gjimnazistëve dhe drejtuesve të kampit.
   Gjatë paraditeve i gjithë kampi shkonte në plazh dhe në aspektin argëtues nuk mungonin kampionatet e futbollit, volejbollit, tavllës, shahut, ping-pongut dhe lojërat olimpike. Veç aktiviteteve sportive u zhvilluan edhe disa mbrëmje me këngë dhe valle popullore si edhe mbrëmja e fundit me skeçe dhe këngë të zhvilluar nga vetë kampistët.
    Një hapësirë të veçantë vlen t’i dedikojmë edhe vizitës së Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit. Prania e tij në kamp ishte një bekim i madh nga Perëndia. Ai vlerësoi punën që u bë me të rinjtë dhe i inkurajoi ata që të kalojnë një kohë vëllazërisht dhe të thellohen në miqësinë e krishterë. Ai i inkurajoi të rinjtë që të shfrytëzonin sa më mirë energjitë e tyre për Krishtin dhe për Kishën. Mbasdite, Hirësi Ignati kreu shërbesën e Pagëzimit të 19 katikumenëve të cilët ndodheshin në kamp. Ai i vlerësoi ata si delet më të reja dhe të qashtra të grigjës së Zotit tonë Jisu Krishtit. Hirësi Ignati gjithashtu bëri edhe një takim me kampistët, të cilët ishin pjesë e Mitropolisë të Beratit.
   Ajo që duhet të vlerësojmë nga ky kamp është zelli me të cilën punoi stafi i tij, si dhe energjitë e pashtershme të të rinjve që shfaqeshin në çdo çast të kampit, në lojëra, në këngët e ndryshme, në temat shpirtërore, në miqësitë që krijuan gjimnazistët ndërmjet njëri-tjetrit, por edhe rritja e tyre shpirtërore dhe shija e një bashkësie vëllazërore e krishterë që ata morën për 10 ditë në këtë kamp dhe shpresojmë që këtë frymë ata ta vazhdojnë edhe në enoritë e tyre.
   Data 21 korrik ishte dita e mbarimit të kampit dhe e kthimit të pjesëmarrësve të tij në shtëpitë e tyre. Shpresojmë që ajo që i kërkuam Perëndisë në lutjet tona të jetë realizuar. Iu lutëm Perëndisë që ky kamp të ishte një rritje në përjetimin shpirtëror jo vetëm të kampistëve, por edhe në jetën tonë shpirtërore. Kërkuam në lutjet tona që kampistët të merrnin një mesazh për jetën me Krishtin, por që edhe ne të thellohemi në këtë mesazh. Besojmë që Perëndia ta ketë dëgjuar lutjen tonë dhe të na thotë të gjithëve: “Të lumur jeni ju”.
Glen Llaçi