Pranë kishës së shën Nikollës në Elbasan, 10 vjet më parë ka filluar aktivitetin Përkujdesja Ditore për fëmijët, e cila u hap nën kujdesin atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Për të kujtuar këtë vit jubile, fëmijët e këtij kopshti, prindërit e tyre së bashku me edukatoret kishin përgatitur një festë të veçantë.
Në këtë ceremoni emocionuese merrnin pjesë edhe të ftuar nga Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve Ditore në Tiranë si dhe edukatore e fëmijë të kopshteve simotra nga qytetet e tjera.
Festa u organizua në një ambient shumë të bukur pranë kopshtit dhe u shoqërua me një koncert të madh festiv, në të cilin fëmijët recituan, kënduan, interpretuan dhe kërcyen. Më e veçanta e këtij spektakli ishin edhe fëmijët e brezave të kaluar që janë edukuar në këtë kopsht. Janë më shumë se 250 fëmijë që janë përcjellë për në klasë të parë gjatë këtyre viteve dhe sigurisht që edhe ata ruajnë kujtimet më të bukura aty. Këto emocione i përsëritën kur panë gëzimin në fytyrat e fëmijëve aktualë, të cilët i përshëndetën me krijimet e tyre, ndërsa prindërit kishin përgatitur një tortë të madhe me urimin “Gëzuar 10-vjetorin!”
Festa u mbyll me kokteilin e shtruar me rastin e kësaj ceremonie shumë të rëndësishme për këtë kopsht.
Ky aktivitet u organizua para pak kohësh me përmasa madhështore edhe në Pogradec. Në ambientet e Pallatit të Kulturës, 10-vjetori i këtij kopshti u kthye në ngjarjen kryesore të qytetit. Veprimtaria pasoi edhe përvjetorët e kopshteve të tjera në Durrës, Kavajë dhe Lushnje.