Kisha këtë ditë kremtoi Shfaqjen e Perëndisë në botë si Trini (Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë) në momentin e Pagëzimit të Jisu Krishtit: Ati me anë të dëshmisë së Tij së lartazi: “Ky është biri im i dashur, në të cilin jam i kënaqur”, Biri i Perëndisë i bërë njeri që po pagëzohet dhe Shpirti i Shenjte, duke zbritur në formë pëllumbi.
|
|
|
Gjithashtu Pagëzimi i Krishtit hapi një faqe të re në historinë njerëzore. Me anë të Pagëzimit të Krishtit tregohet rëndësia dhe domosdoshmëria e pagëzimit për njerëzit, të cilët duhet të pagëzohen si me anë të ujit ashtu edhe me anë të Shpirtit të Shenjtë.
|
Pagëzimi i Krishtit është bekim dhe shenjtëri, pasi shenjtërohen të gjithë ujërat. Gëzon natyra, që me anë të shenjtërimit të ujit të shenjtërohet dhe ajo, pasi Krishti nuk u pagëzua vetëm për njerëzit, por për të gjithë krijesën, që Ai vetë krijoi me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Kjo ditë është shkak pikënisjeje për një jetë më afër Krishtit, për të qenë të mbushur me Shpirtin e Shenjtë.
|
|
|
Në këtë kremtim solemn që zhvillohet për këtë ngjarje hyjnore, historike dhe botërore, në kishat orthodhokse përveç Liturgjisë Hyjnore zhvillohet edhe Shërbesa e Shenjtërimit të Ujit, ku edhe besimtarët marrin prej këtij uji për bekim, shenjtërim, shërim sëmundjesh etj. Është bërë traditë që në vende ku ka lum, liqen ose det të bëhet edhe bekimi i ujërave të tyre, duke hedhur kryqin në to dhe të kapet nga besimtarë që hidhen në ujërat e ftohta të tyre.
|
Kjo festë mblodhi, në Durrës, në kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit qindra besimtarë orthodhoksë durrsakë dhe qytetarë të tjerë të ardhur nga Tirana dhe zonat përreth si edhe studentët e Akademisë Teologjike në Shën Vlash. Mes klerikëve dhe shumë besimtarëve ishte edhe Kryepiskopi Anastas, i cili kryesoi Liturgjinë Hyjnore si edhe Shërbesën e Shenjtërimit (Bekimit) Madh të Ujit ose të quajtur ndryshe Ajazmës.
|
|
|
Në këtë kremtim merrnin pjesë Episkop Nikolla, Arkimandrit Kozma Prifti, Atë Spiro Tola, Atë Spiro Qosja, Atë Asti Beshiri, kryedhjakon Asti Bakallbashi dhe dhjakon Hektor Firoglani. Pas bekimit të ujit, klerikët dhe besimtarët u drejtuan me procesion madhështor të shoqëruar edhe nga banda filarmonike e qytetit drejt Portit të Durrësit, ku u krye edhe rituali i hedhjes së kryqit në detin Adriatik. 15 vjeçari Sofokli Xhavara kapi i pari kryqin në det, duke marrë edhe bekimin e veçantë për këtë fillimvit.
|
|
|
Në fund të Ajazmës dhe gjatë gjithë ditës besimtarët orthodhoksë dhe joorthodhoksë morën me vete ujë të bekuar, si bekim dhe shpresëtari, duke pirë nga ky ujë, duke spërkatur me të shtëpitë, dyqanet, arat etj. Këtë ujë ata e mbajnë gjatë gjithë vitit në shtëpi për bekim dhe shërim. Në fund ata uruan njëri-tjetrin edhe për një vit të bekuar.
|
|
Thoma Çomëni
|