Lëreni diellin te shkëlqejë
    Me dhimbje të thellë kemi lexuar kohët e fundit në gazeta, disa artikuj jo serioz dhe gënjeshtër mbi figurën e nderuar të Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas nga njerëz që nuk kanë fare dijeni për ato që shkruajnë. Por e shohim të arsyeshme t’ju parashtrojmë disa fakte reale të kontributit të tij të çmuar shumë vjeçar në aspektin shpirtëror e social në ndihmë të komunitetit besimtar dhe njerëzve në nevojë.
    1. Ai ringjalli nga themelet besimin e krishterë në zemrat e besimtarëve të tronditur shumë rëndë nga regjimi ateist.
Këtë ka bërë në radhë të parë duke ofruar veten e tij në frymë e në trup me të gjithë kapacitetin e tij intelektual,shpirtëror e fizik, duke ndjekur një udhë të gjatë plot mundime e sakrifica dhe duke shfaqur kështu shembullin e gjallë të një kryebariu që e do dhe kujdeset për tufën e tij.
    2. U restauruan dhe u ngritën nga fillimi dhjetëra e qindra kisha e disa manastire ku besimtarët ushtrojnë jetën e tyre shpirtërore,bëjnë pelegrinazhe dhe mësohen e aftësohen të vendosin marrëdhënie të drejta e mirëkuptimi në familje dhe në shoqëri.
    3. U hapën shkolla të nivelit të mesëm e të lartë ne mënyrë që brenda vendit të përgatitën klerikë e theologë pr t’i shërbyer sa më mirë komunitetit besimtar në gjuhën amtare.
    4. U përgatit dhe vazhdon të përgatitet një literaturë e pasur fetare si gazeta, revista e libra me të cilat besimtarët ushqejnë shpirtrat për të mbajtur gjallë në breza besimin e tyre të shenjtë.
Pra nga sa u tha më lart del se Kryepiskopi Anastas ka ndikuar dhe ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e emancipimit shpirtëror të një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, e cila reflekton vlera të larta morale e shpirtërore në mbarë ambientin rrethues.
    Gjithashtu një kontribut jashtëzakonisht i madh është ndihma që jep Kryepiskopi Anastas për njerëzit nevojtarë të kryeqytetit dhe të fshatrave përreth Tiranës. Që në vitin 1992 me bekimin e tij,u krijua në Kishë Grupi i Grave orthodhokse i cili prej fillimit ka zhvilluar një aktivitet të madh në njerëzit në nevojë duke shpërndarë pako me ushqime e veshmbathje nga ndihmat e shumta që vinin në fillim nga vende të tjera si Greqia e Qipro e në vijim,nga vende të tjera. Grupi ushtron veprimtari të larmishme në familje të varfra, në burgje dhe azile, në fëmijë jetim e gra të veja, të pastrehë e persona të braktisur, të sëmurë në spitale dhe në shtëpi, të moshuar dhe persona të vetmuar, të paaftë për punë e të depresuar, lypsa etj. Këto shërbime drejtohen nga një zyrë e cila shpeshherë kooperon me zyra sociale shtetërore duke shkëmbyer përvoja në dobi të nevojtarëve. Ndihmat janë të llojeve të ndryshme si ushqime, veshmbathje, ndihmë financiare etj. Vlen të përmenden vizitat që bëhen në persona të sëmurë që lëngojnë në shtrat, bisedat që zhvillojmë me të moshuar të vetmuar që kanë ëndje për një fjalë të ngrohtë. Të burgosurit shijojnë lirinë kur marrin mesazhin e shpresës dhe fjalën e shpëtimit. Lypësit fitojnë dinjitet dhe provojnë barazinë kur dikush ndan bukën me ta. Çdo javë njerëz nevojtarë ndihmohen nga zyra e grave që financohet në masën 70% nga Kryepiskopi Anastas.
   Për të gjitha këto që parashtruam a mund ta quajmë të huaj për Shqipërinë këtë personalitet që ka kontribuar për 18 vjet radhazi për përparimin, qytetërimin dhe transformimin shpirtëror,kulturor e social të shoqërisë shqiptare? A nuk e meriton me të vërtetë titullin Qytetar nderi i Tiranës, që e gëzon prej disa vjetësh, ky përhapës i një paqeje të vërtetë mes flakëve të zjarrit? Dihet se misionarët fetarë zhvillojnë misionin e tyre apostolik, të lirë në të gjithë botën sepse Krishterimi nuk njeh kufi territorial.
    Në mbyllje shprehim përkufizimin e fundit se për ne, Kryepiskopi Anastas mbetet një udhëheqës i pazëvendësueshëm që me hir Perëndie, mençuri dhe plot vizion drejton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me vërtetësi dhe pa u lëkundur nga furtuna e stuhitë sepse timonin e tij e lëviz dora e pagabueshme e Perëndisë.
Me respekt
Gratë e Lidhjes Orthodhokse të Tiranës